Grupi i pavarur i artisëve fitues reagojnë rreth anulimit të konkursit për blerjen e veprave të artit

13 Dhjetor, 2021 - 11:03 am

Grupi i pavarur i artisëve fitues përmes një letre drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar mbi anulimin e konkurist për blerjen e veprave të artit, shkruan KultPlus.

MKRS të enjtën e kaluar bëri të ditur anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artistëve vendor, me ç ‘rast ka pasur reagime të shumta.

Kjo është letra e plotë e Grupit të pavarur të artistëve fitues, që kërkojnë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes:

“Anulimi i “procedurës” së thirrjes për blerjen e veprave të artit, pas publikimt të listës së ujdisë, aty ku figurojnë çmimet e dakorduara, nuk është anulim i procedurës, por anulim i blerjes. Ky mund të jetë tentim për të qenë fer, edhe pse çuditërisht vetë-mposhtës, por aspak angazhim për mbështetje e fuqizim, siç ironikisht thuhet në dokumentin zyrtar.

Kush është artist meritor e kush duhet të punojë edhe pak, e ka vendosur vetë juria e caktuar nga ministri Hajrulla Çeku. Nëse minstri nuk din ta përzgjedhë jurinë, kjo nuk do të thotë që juria nuk din t’i vlerësojë veprat që u caktoi çmime për ta pasuruar koleksionin e Kosovës. I cili rrjedhimisht është koleksion publik dhe paratë janë publike.

Vendimi për anulim në emër të pakënaqësisë është i padrejtë sepse e vendosë raportin me publikun para mbështetjes së publikut.Sa i përket argumentit kundër blerjes në emër të termit të rimëkëmbjes ekonomike, duhet theksuar menjëherë që rimëkëmbja ekonomike nuk është sociale, por siç edhe e thotë vetë termi, ekonomike. Një nga shumë pyetjet që duhet shtruar është, pse ky vendim kaq pasiv-agresiv krye në veti?  Pastaj, pse ky anashkalim i papritur dhe përçmues i 68 artistëve të përzgjedhur për pasurimin e koleksionit që në njëfarë mënyre e përbën historinë e artit kosovar për brezat e ardhshëm? Dhe në fund, a nuk e dëshmon ky vendim i marrë dhe anti-ekonomik, që ministri Hajrulla Çeku nuk është duke e bërë atë që ai po pretendon dhe që nuk është duke e menduar atë që po e thotë.

Të indinjuar nga ky veprim i papërgjegjshëm dhe abuziv, kërkojmë revokimin e menjëhershëm të anulimit të blerjes, bashkë me pranim të përgjegjësisë dhe premtim që kjo nuk do të ndodhë përsëri. Përndryshe, nuk do të na mbetet tjetër opsion përveç kërkimit të largimit të menjëhershëm të ministrit, bashkë me thirrjen për veprimin e drejtë që ai do të duhet ta bëjë”, thuhet në letrën e hapur të grupit të artistëve drejtuar Qeverisë dhe MKRS-së.

Për blerjen dhe anulimin e kësaj marrëveshje kishte pasur edhe një protestë nga komuniteti artistik para disa ditësh. /KultPlus.com

No photo description available.

Të ngjajshme