“Hapësira e Përpjekjes Politike: Miniera e Trepçës 1989”, ekspozita që sjell prespektiva të ndryshme për grevën e minatorëve

2 Shkurt, 2023 - 5:04 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmja e djeshme e riktheu publikun në epokën e grevës së minatorëve të Trepçës, të vitit 1989, me ekspozitën “Hapësira e Përpjekjes Politike: Miniera e Trepçës 1989” , e cila solli dokumente të ndryshme të burimeve të ndryshme të kuruara në një vend, shkruan KultPlus.

Qëllimi i kësaj ekspozite organizuar nga ‘Oral History of Kosovo’, me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe hulumtues Renea Begolli, Anita Susuri, Korab Krasniqi dhe Erëmirë Krasniqi, vjen si vazhdimësi e punës dy-vjeçare e realizimit të intervistave me vetë minatorët, politikanët, avokatët e persona të tjerë që kanë qenë të lidhur direkt dhe indirekt me këtë grevë.

Ekspozita niset nga përkushtimi për të kuptuar format e reja të angazhimit politik që gjetën artikulim gjatë grevës së minatorëve të organizuar nga 20 deri më 28 shkurt, 1989. Nëntoka ishte hapësira e përpjekjeve të tyre politike dhe lokacioni nga ku ata krijuan një marrëdhënie tjetër me atë që ishte duke ndodhur politikisht mbi tokë.

Vetë kuratorja Krasniqi, tha për KultPlus se konceptimi i kësaj ekspozite në njëfarë forme tërheq paralele mes arkivave të ndryshme që janë arkivi shtetëror, arkivi privat të njerëzve që janë intervistuar, por edhe arkivit të ‘Oral History of Kosovo’ që është ndërtuar gjatë procesit të hulumtimit.

“Ekspozita prezanton edhe ekstrakte prej intervistave që i kemi realizuar me minatorë, me politikanë që kanë qenë atë kohë relevantë, me avokatë të cilët i kanë mbrojtur minatorët. Intervistat janë shumë të llojllojshme si edhe me familjarë edhe me njerëz që kanë ndërvepruar në atë kohë”, shprehet Krasniqi, e cila mes tjerash tha se në këtë ekspozitë synojnë të krijojnë prespetiva të njerëzve të ndryshëm.

“Në këtë ekspozitë e kemi paraqitur edhe një tavolinë që shërben si një ‘timeline’, një kronologji të historisë që fillon prej anglezëve, kur e kanë marrë një kontratë me konsesion prej mbretërisë jugosllave, por më pas fillon Lufta e Dytë Botërore dhe ajo kontratë zhbëhet dhe nacionalizohet nga Jugosllavia dhe më pas menaxhohet prej punëtorëve të Trepçës”, përfundon ajo duke folur për dokumentet e paraqitura në këtë ekspozitë.

Ekspozita e cila u hap më 1 shkurt do të qëndrojë hapur deri më 28 shkurt, 2023, nga e martja deri të dielen, prej orës 10:00 deri në 18:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Hulumtimi dhe ekspozita mbi Grevën e Minatorëve 1989 është realizuar në partneritet ndërmjet Iniciativës për Histori Gojore dhe forumZFD programi në Kosovë, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe National Endoëment for Democracy (NED). / KultPlus.com

Të ngjajshme