Hapet “Dialog në errësirë”, artisti Hajredini: Ëndërr e kam pasur që valixhet t’i prezantoj në mënyrë muzeale

16 Mars, 2022 - 6:00 pm

Afro 31 vepra artistike frymuan mbrëmë në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës me rastin e hapjes së ekspozitës “Dialog në errësirë – Dialogue in the dark” së artistit Driton Hajredini. Kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita solli para publikut një numër të madh të veprave aq bukur të realizuara të cilat me inkuadrimin e katër videove, një fotografie dhe instalacionit, artisti ka arritur të prekë çdo medium të mundshëm të shprehjes, shkruan KultPlus.

Të pranishmit mbushën vendin me prezencën e tyre dhe me sy të cilët vazhdimisht kërkonin pikturë pas pikture. Kati i parë i Galerisë mblodhi rreth vetes në një numër të madh artistësh të cilët admironin nga larg pikturat si: “Andërr artistike”, “Më fal Magritte”, “Më fal Fontana”, “Martesa”, “Punë e madhe!”, “Hapësirë reklamimi”, “Energjia”, “Sorry Polke”, “Andërr” dhe “Zgjom para se të shkosh”, të cilat erdhën fuqishëm në ngjyra të lehta e mjaft të larmishme, por pati edhe nga ato të cilat të bënin të shikosh pak minuta më shumë se zakonisht.

Ndërkaq, artisti ekspozitën e nis me pyetjen “Hello, is anybody out there?”, për të vazhduar me pikturat e përngjashme nga madhësia që janë të titulluara si: “Uncle Hari”, “Uncle Cinto”, “Uncle Rene”, “Aunt Catherine”dhe “Uncle Edi”, si një hyrje për të futur publikun brenda një pikëpyetje por që njëkohësisht është cilësuar si një ikonografi tallëse e Hajredinit për të spikatur rolin e kuratorëve në artin bashkëkohor.

Po ashtu, instalacioni “Kush e vrau pikturën?”, e vendosur në njërin nga qoshet e hapësirës, spikati pikërisht një skenë krimi ku ideja e vrasjes është shfaqur po njëlloj si nga policia hetuese. Shiriti i cili ndalon qasjen e personave brenda, pothuajse portretizoi botën e shoqërisë tonë, duke u shndërruar kështu në një mesazh tejet interesant pasi që përgjigjen e mbante secili person që u vu mbrëmë para këtij instalacioni.

Ndërsa, në katin e dytë të GKK-së, fotoja e vetme që përballet me publikun është e titulluar “Ju betohem se jam Piktor”, e që në foto paraqitet vetë artisti, për të vazhduar me ciklin e tij të njohur, atë të valixheve. Të pozicionuara në mënyrë ta mahnitshme ku ndriçimi i posaçëm binte pingul mbi to, pikturat e dimensioneve të ndryshme u gjallëruan nga errësira që i përthekonte të pranishmit e nga vëmendja e shumtë që morën ato mbrëmë. Nga ngjyrat e bukur të errëta, pikturat në thelb shpërfaqnin shpresë, pritje, ikje, investime e ndoshta dhe udhëtime, por që në krye kishin secila nga një korb. Me gjithsej 13 piktura të këtij kuadri, artisti Hajredini na përafron me idenë se një mur po rritet, por se cili do të jetë ai mur, ai nuk e zbulon, por lë që publiku të jetë ai i cili komunikon me këto piktura.

Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës, artisti Hajredini arrin që të tregojë diçka, qoftë përmes veprave të njohura të artit, cikleve të ndryshme të shpërfaqura, instalacionit, fotografisë, apo edhe katër videove si “Mëkati”, “Diku në Prishtinë”, “Për milionerët” dhe “Sindroma Abramovic”, të cilat ngërthejnë në vete një histori të vetë artistit që vendos ta shpalos. Dilema se a është një mëkat që të lindësh si shqiptar në Kosovë, fuqia e komercialitetit, lufta në Kosovë si dhe performanca e artistes Marina Abramovic, ishin këto temat që u shtjelluan nëpër këto video.

Për të treguar rreth idesë për të sjell këtë ekspozitë si dhe konceptit të saj, për KultPlus foli artisti Driton Hajredini.

“Ideja për të ekspozuar gjithmonë është aktuale se artisti punon për të treguar diçka, sidomos që nga shekulli 14-të, artisti është ai i cili pa e pasur dikë prapa, pa mbështetje, dëshiron që shikuesit t’i tregojë diçka. Unë aplikova për një ekspozitë personale dhe u pranova, andaj dhe gjithçka shkoi mirë. Puna në këtë ekspozitë zgjati për dy muaj për të shfaqur 14 piktura me valixhe lart dhe 17 punime në katin e poshtëm. Faktikisht, janë tri cikle të punimeve”, thotë Hajredini.

Sipas tij, ëndrra e tij ishte që valixhet të prezantohen në mënyrë muzeale, pra të jetë errësirë në mes punimeve por të shihet vetëm piktura.

“Piktura më e veçantë për mua do të ishte piktura “Run family run”, një valixhe e hapur me fotografi të familjes time për arsye se unë sa isha në Gjermani, familja ime ishte e zhvendosur. Pas luftës, pas pyetjes time të parë “A është vrarë dikush?”, pyetja e dytë ishte “A kanë shpëtu fotografitë?”. Nëse do të digjeshin ato, pra dhe historia jonë do të mbaronte”, përfundon ai.

Ndërsa, piktorja Zake Prelvukaj për KultPlus tha se Dritoni është një artisti i cili shprehjet e tij artistike gjithmonë vinë guximshëm në secilin medium që ai përdor.

“Dritoni është një artist serioz i cili nuk paraqitet shpeshherë në ekspozita, mirëpo të menduarit e ka atë absorbimin e tij ndër kohë, të cilën e përmbledh siç e ka bërë me këtë ekspozitë. Ai vërtetë di të dialogojë dhe ky dialog në errësirë që e ka zgjedhë është ajo që flet shumë sepse shumë dialogë në errësirë domosdo ndodhin për të shpëtuar botën. Dritoni me shprehje artistike gjithmonë ka qenë i guximshëm në çdo medium që ka përdorur”, thotë Prelvukaj.

Sipas saj, Dritoni është një artist që ka pasuruar edhe fondin e përgjithshëm kosovar të arteve dhe kudo që shkon paraqitet me njëfarë arti inteligjent që ndoshta dikush nuk mund as ta lexojë.

Në anën tjetër, pas kësaj date ekspozita do të jepet edhe në orarin e rregullt nga ora 10:00-18:00, çdo të martë deri të dielën. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme