Hapet ekspozita “121 foto në një 121 jetë suksesi”, Ilir Meta: Me ju Shqipëria bëhet vërtetë zonjë

23 Qershor, 2019 - 7:30 pm

Presidenca e Shqipërisë në Tiranë, në këtë fundjavë kishte hapur dyert për 121 gratë e suksesit nga të katër anët e botës, dhe nën tingujt e pianos dhe në një atmosferë festive u shpalosën rrëfimet e këtyre grave, rrëfimet e të cilave nga profesione të ndryshme janë vendosur në një ekspozitë dhe në një libër të titulluar “121 foto në një 121 jetë suksesi”, shkruan KultPlus.

Flora Nikolla ishte nikoqirja e kësaj ngjarje të madhe, e cila në kuadër të Albanian Exellence kishte bërë përzgjedhjen e këtyre grave, të cilat vinin nga profile të ndryshme si: mjeke, gazetare, artiste, ekonomiste, ushtarake dhe shumë profile të tjera që ushtrojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Mali i Zi dhe nga Evropa, Amerika e Kanadaja.

Imazhet e Zonjave janë përzgjedhur nga një grup kuratorial, në përbërjen e të cilit bëjnë pjesë profesionistë kuratorë, fotografë dhe gazetarë, që kanë pasë udhërrëfyes në këndëvështrimin e tyre dy veti thelbësore: suksesin profesional të Zonjave dhe çastin domethënës të shkrepjes së fotografimit për të arritur një atmosferë kreative dhe njohëse mbi Zonjat si model suksesi.

Me këtë rast, jo vetëm që u mbajt kjo mbrëmje e bukur në presidencën e Shqipërisë, por gratë e suksesshme janë pritur edhe nga vetë presidenti Ilir Meta i cili ka thënë se presidenca u zbukurua dhe u fisnikërua si asnjëherë tjetër nga prania e 121 zonjave të suksesshme në jetën profesionale, kontributet e të cilave e kanë lartësuar emrin e Shqipërisë në botë.
“Historitë e tyre të suksesit, të sjella së bashku në ekspozitën “121 jetë suksesi në 121 fotografi”, janë shembull frymëzimi dhe model i shkëlqyer për vajzat e gratë e reja, që sot ndodhen në momente të vështira, apo që përpiqen të arrijnë suksese në jetën dhe karrierat e tyre. I bindur që kur gratë janë të bashkuara dhe zëri i tyre dëgjohet nga të gjithë ne, përfituesit më të mëdhenj janë familja, komuniteti dhe atdheu! Sa më i madh të jetë roli i gruas, aq më e emancipuar, më e shëndetshme dhe më e bashkuar do të jetë shoqëria jonë! Me ju Shqipëria bëhet vërtetë zonjë!”, është shprehur Meta.

Kurse Flora Nikolla që bëri krejt këtë organizim ka thënë se zonjat e suksesit shqiptar në këto fotografi  e biografi të shkurtra që po ju prezanton Albanian Excellencë në këtë libër-album, janë bashkëshorte, nëna, motra, mike, personalitete në punën e tyre, janë të sigurta, të rrepta, të zgjuara, kërkuese, janë shqiptare kudo që jetojnë, janë vlera që ne të gjithë duhet t’i çmojmë dhe t’i vlerësojmë si një mundësi më shumë për vendin e jetën tonë.

“Ndaj  unë them që rrinë aq bukur së bashku! Ndaj edhe them se bukuria e tyre fizike i përgjigjet aq natyrshëm e lehtësisht statusit të tyre social, intelektual, statutusit të së ardhmes që janë fëmijët e tyre, rritur me kujdes në jetën e tyre, mbushur plot me ngazëllim, përpjekje, dështime dhe ringritje suksesi të sigurtë. Ndaj ju them me dashuri e gojë-plotë : “Mirë se keni ardhur në botën e Albanian Excellence, ju Zonja të suksesit shqiptar, nga  gjithë -planeti veshur me tis të mrekullueshëm kombëtar!”, ka thënë mes tjerash Nikolla.

Në këtë mbrëmje të madhe që bashkoi gratë e suksesshme ishte e pranishme edhe Vasfije Krasniqi, e cila edhe para të pranishmëve në Tiranë, potencoi dhimbjen e madhe të Kosovës, atë të dhunimit seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke ndarë përvojën dhe luftën e saj që të jetë zëri i këtyre viktimave në të katër anët e botës.

Mbrëmja u pasurua edhe me performancën e artistes Gjilberta Lucaj, e cila pas 20 viteve mungesë në skenën shqiptare ajo përzgjodhi pikërisht këtë mbrëmje të rikthehet nga New Yorku në Shqipëri.

“Gjithmonë kam dashur të jem e pranishme në një mbrëmje të tillë, dhe ftesën e Flora Nikollës e pranova me dashuri. E vlerësoj këtë iniciativë për të treguar zgjuarsinë e grave, sepse bota tashmë është e grave”, ka thënë mes të tjerash Lucaj.

Në këtë ekspozitë e libër janë përfshirë shumë gra të suksesshme nga të gjitha profilet si: Vasfije Krasniqi, Feride Rushiti, Almira Emiri, Ardiana Pajaziti, Aurita Agushi, Ardiana Sokoli, Dëshira Ahmeti Kërliu, Eda Zari, Marsida Koni, Bora Balaj, Ermira Babamusta, Syzana Aliu, Pranvera Bekteshi…/KultPlus.com

Të ngjajshme