Hapet ekspozita e Alije Vokshit, gruaja e parë piktore në Kosovë

16 Shkurt, 2018 - 9:40 pm

Gili Hoxhaj

Kur flitet për artin dhe pikturën në raport me gratë kosovare, padyshim që duhet ndalur në një pikë, se historia e pikturimit me gruan shqiptare në Kosovë fillon pikërisht me emrin e Alije Vokshit.

Mes përqafimeve, e tejet e emocionuar ajo erdhi sonte në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, ku u prit nga shumë artdashës që kishin ardhur për ta parë punën e saj të varur në muret e kësaj Galerie.

Njerëzit rreth saj herët kishin filluar të nuhasnin shenjat e para të talentit të saj. Në çdo copë letre të zbrazët, ajo dikur vizatonte akte dhe portrete, madje edhe xhamat e djersitur e të avulluar ishin bërë objekt i gjurmëve të para të talentit të saj për vizatimin e pikturën.

Alije Vokshi, ishte piktore që inspirimin e kërkonte përtej dhomës së saj. Jo rrallë herë, ajo pëlhurave të bardha të kornizuara, u jepte imazhin e fshatarëve e peizazheve të anës së Dukagjinit. Ajo shpesh nisej rreth Deçanit, atje prej nga edhe i ka rrënjët. E tërhiqte fort veshja, dukja dhe zakonet e fshatrave. Qëndrimi dhe pozicioni i tyre karshi jetës reflektohet dukshëm në çdo detaj të portreteve që u prezantuan sonte. Subjekti i pikturave të saj ishin pikërisht gratë dhe burrat e kësaj zone.

Por ajo ka lënë gjurmë më një ndër pikturat ikonë, me portretin e plakës me të zeza, që ishte vjehrra e saj Ina. Kuratori i ekspozitës, Lorik Sylejmani, në katalogun e ekspozitës solli një rrëfim personal lidhur me rrugëtimin e tezes së tij, ku edhe thotë se ky portret arrin ta pasqyrojë karakterin e plakës së këndshme dhe gazmore.
Kjo ekspozitë “Retrospektivë” e Alije Vokshit, shënon edhe ekspozitën e parë në kuadër të Programit Artistik të GMK-së për këtë vit. Kjo ekspozitë retrospektive shpalosë një pjesë të krijimtarisë së piktores Alije Vokshi dhe janë veprat e para me të cilat ajo nisi karrierën. Kuratori Sylejmani, tha sonte se kjo ekspozitë ka qenë sfiduese për të, për shkak të punës voluminoze të artistes dhe njëherit tezes së tij, Alije Vokshit.

“E kam pasur një punë dhe detyrë mjaft sfiduese pasi puna e saj është voluminoze por edhe shumë cilësore njëkohësisht. Gjatë vizitës në atelienë e saj në katër dhoma, kam pasur një angazhim të madh që nga 150 piktura dhe 120 vizatime ti ndaj dhe ti sjellë në një ekspozitë prej 20 punimesh. Po ashtu dhe për herë të parë pas tridhjetë- tridhjetë e pesë vitesh nga Galeria Kombëtare e Kosovës e kemi pikturën e zonjës me të zeza, që besoj së është piktura ikonë e profesoreshës”, u shpreh kuratori i ekspozitës, Lorik Sylejmani.

Piktorja Zake Prelvukaj tregoi për KultPlus se ka shumë kohë që e njeh piktoren Vokshi, ajo thotë se si fëmijë e ka parë Alijen duke pikturuar. Ajo e cilëson punën e artistes si karakteristike dhe origjinale.

“Me Alijen na ka lidhur Prishtina, na ka lidhur jeta por na ka lidhur edhe interesimi im që nga fëmijëria. Edhe pse Alija i ka pasur disa shkëputje të vogla gjatë jetës, ajo prapë se prapë e ka bërë një kontinuitet. Unë mendoj se në punimet e saj ka cilësi dhe mendoj që këto janë edhe punime muzeale”, u shpreh Prelvukaj, e cila shtoi se ajo krenohet me një piktore siç është Alija, ndërsa rrëfen se sikur të kishim më shumë personalitete si Alija, edhe shteti do të ishte më i fortë.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.

Kjo ekspozitë erdhi edhe nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 2 mars në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme