Hapet ekspozita ‘E bukura fillon me ne’

21 Janar, 2019 - 3:23 pm

Çdo person në botë është i bukur, në forma të ndryshme, aq sa e ndryshme është edhe vetë bukuria. Por më të bukurit, janë ata që janë më të veçantë, personat me nevoja të veçanta.

Një ekspozitë që pikërisht ka për fokus këta persona të dashur u hap sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Ekspozita ‘E bukura fillon me ne’ u shpall e hapur nga Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Elvana Shala – Ambasadore e Vullnetit të mirë në Kosovë. Ekspozita sjellë fotografi të personave me aftësi të veçanta nga një revy mode e organizuar në vitin 2018-të, ku këta persona u veshën me rroba nga dizajnerët e njohur kosovarë.

Eloida Alija është njëra prej bukurosheve e cila sot e pa veten edhe në ekspozitë. Është e papërshkrueshme se sa e gëzueshme ishte ajo sot.

“Sot nuk e kam veshur fustanin e revysë, por jam shumë e lumtur me atë sfilatë dhe me këtë ekspozitë sot” tregon Eloida, gjithmonë e buzëqeshur dhe e gatshme për të dhënë dashuri ndaj njerëzve rreth saj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, dhe është një mënyrë e mirë për të menduar e reflektuar mbi gjendjen e këtyre personave me nevoja të veçanta dhe për të punuar më shumë drejt integrimit të tyre në shoqëri, shkruan KultPlus.

Para ekspozitës, po në këtë Qendër u mbajt një panel diskutimi me Apostolovën dhe Shalën, në kuadër të ciklit ‘Gender Talks’ ku muaj për muaj do të diskutohet për gruan dhe problemet që ajo hasë në këtë shoqëri.

Mes tjerash, në këtë debat u fol se si gruaja me nevoja të veçanta është e diskriminuar në mënyrë të dyfishtë, nga paragjykimet familjare por edhe nga mentaliteti në shoqëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme