Hapet ekspozita “Katundet arbëreshe”, Koçi: Dëshmi e një komuniteti shumë vital

1 Shtator, 2021 - 3:19 pm

Në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar u çel sot ekspozita me titull: “Katundet arbëreshe”.

Kjo ekspozitë pasqyron shpirtin arbëresh, i cili dëshmon përkatësinë e vet etnike.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë një javë e hapur, është përfytyruar, duke menduar gjithë shqiptarët në botë, me dëshirën për të njohur gjakun e kombit shqiptar të shpërndarë në luftëra të shumta.

Kjo ekspozitë të nxit dhe të shtyn në gjurmime të tjera historike e etnografike mbi bashkësitë arbëreshe.

Drejtori i Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “risia që sjell kjo ekspozitë, është një hapësirë panoramike e të gjithë fshatrave apo katundeve, siç është në gjuhën e tyre, të botës arbëreshe, e cila vjen nëpërmjet disa shpërnguljeve të mëdha, janë rreth 6 shpërngulje të cilat janë realizuar ndër vite, duke filluar nga e para dhe deri tek e fundit që shkon diku tek shekulli XVII-XVIII, për të treguar gjurmët e një kontinuiteti shpirtëror, etnik arbër, i cili u vendos në Italinë e Jugut”.

“Risia tjetër është që kjo shoqërohet me disa objekte origjinale, të cilat ne i kemi pjesë të pavijoneve tona, siç është kallamari origjinal i De Radës, i cili është një objekt që është dhuruar që më herët, që me themelimin e Muzeut Historik Kombëtar, por që sigurisht merr një rëndësi të veçantë duke menduar që kryeveprat më të rëndësishme të De Radës janë shkruar nëpërmjet këtij kallamari. Ashtu siç mund të themi dhe për dy libra origjinale si “Sprovë për një gramatikë të Gjuhës Shqipe”, nga Dhimitër Kamarda, të vitit 1866, “Mbledhje folklorike të poemave popullore arbëreshe” nga Zef Skiroi dhe një paftë origjinale të Shën Gjergjit, pra shenjtorit i cili shpesh herë në kulturën popullore arbëreshe identifikohet edhe me Gjergj Kastriot Skënderbeun”, theksoi Koçi për ATSH.

Më tej, Koçi nënvizoi se synimi i MHK ishte që, “me rastin e fillimit të muajit të trashëgimisë kulturore europiane në Shqipëri ta hapim pikërisht me këtë ekspozitë që iu dedikohet një komuniteti shumë vital, i cili është një urë bashkëpunimi kulturor midis Shqipërisë dhe Italisë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në të dyja vendet, qoftë në kulturën shtetformuese italiane, në të cilën ata janë qytetarë tashmë prej 500 vitesh, por qoftë edhe në identitetin kulturor shpirtëror të shqiptarëve”.

Së dyti, theksoi Koçi, “kemi dashur që nën efektet e globalizmit, që shpeshherë ushtrojnë një presion mbi kulturat e vogla, mbi gjuhët e vogla, ne të sjellim një dëshmi të këtij komuniteti kaq vital edhe jetësor në Italinë e Jugut që ka mbajtur dhe ka ruajtur traditat e veta të hershme prej shumë kohësh, edhe të mbrojtura nga kartat e të drejtave për minoritetet gjuhësore dhe nëpërmjet konventave ndërkombëtare që shteti italian i respekton.

Së treti, shtoi Koçi, “kemi dashur që t’i japim një portë njohëse për shqiptarët, publikun kryeqytetas që viziton Muzeun Historik Kombëtar, të ketë mundësi që kur shkon në Italinë e Jugut, përveçse Barit dhe Salentos apo dhe vendeve të tjera, Brindisit, të vizitojë Kalabrinë dhe të vizitojë edhe ngulimet arbëreshe, sepse jam shumë i sigurt që do të gjejnë disa njerëz shumë fisnik, shumë bujarë, të cilët mbartin një kulturë shumë të hershme dhe do të dëgjojnë dialektin e tyre, por do të dëgjojnë edhe disa rrëfenja dhe do të shikojnë jetën e një komuniteti shumë vital”.

“Ashtu siç kemi dashur dhe për të huajt që vizitojnë Muzeun Historik Kombëtar gjatë kësaj kohe, të sezonit turistik, që në vitet e tyre të ardhshme, pra kur të vizitojnë Italinë e Jugut, të kenë mundësi që të njihen edhe me kulturën e këtij komuniteti të rëndësishëm arbëresh të vendosur në Itali”, u shpreh ai.

Ai nënvizoi se, “kjo ekspozitë do të qëndrojë rreth 1 javë e hapur, por që sigurisht ne do të mundohemi që nëpërmjet kontakteve që kemi me shkollat 9-vjeçare, apo dhe me shkollat e mesme të arrijmë të bëjmë të mundur biseda të ndryshme gjatë kësaj kohe, për të njohur më mirë botën arbëreshe nga ana e brezit tonë të ri”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme