Hapet ekspozita, “Përmes Trashëgimisë, nga Korça në Prizren”

20 Prill, 2019 - 5:25 pm

Në Galerinë e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren është hapur ekspozita ”Grafika nga Trashëgimia Kulturore e Qarkut – Korçë” nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Korçë në bashkëpunim me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Në kuadër të zbatimit të kalendarit të përbashkët kulturor vjetor të nënshkruar nga ana e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit dhe ministres së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, qyteti i Prizrenit ishte nikoqir duke mirëpritur ekspozitën me temë ”Grafika nga Trashëgimia Kulturore e Qarkut – Korçë”.

Samir Hoxha, shefi i Kabinetit të ministrit të Kulturës Kujtim Gashi, në fjalën e tij tha se kjo ekspozitë është një nga shumë aktivitetet të cilat pritet të realizohen gjatë këtij viti nga ana e institucioneve të kulturës dhe të trashëgimisë nga të dyja anët e kufirit.

“Bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë do të ndikoj në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore, realizimin e vizitave ndërinstitucionale dhe njohje me praktikën e punës së këtyre institucioneve, do të fuqizohen njohuritë dhe përvojat në menaxhimin, hartimin dhe zbatimin e politikave kulturore të Trashëgimisë Kulturore. Këmbim i njohurive, eksperiencave në punë, vizitë të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe përfitim kulturor” ka theksuar Hoxha.

Kujtojm se në vitin 1982, Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet. Prej asaj periudhe, 18 Prilli shënon ditën e kremtimit dhe promovimit të trashëgiminë kulturore dhe është vlerësuar si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për diversitetin, rëndësinë, nevojën dhe përfitimet e konservimit dhe mbrojtjes të saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme