Hapet “Manifesta 14”, tradita e ndërthurur me modernitetin i shton Prishtinës ngjyrë, shpirt dhe bukuri

23 Korrik, 2022 - 9:00 pm

Era Berisha

Mbrëmë Prishtina u shndërrua në shtëpinë e dytë të qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm. Në një numër goxha të lartë, artdashës nga e gjithë bota pushtuan Pllaton në Pallatin e Rinisë për të ndjekur nga afër një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina”. Një sinjalizues për këtë ishte edhe vepra tashmë e njohur e artistit Petrit Halilaj, “Kur të ikë dielli do ta pikturojmë qiellin”, e vendosur mbi Hotelin Grand e që dukshëm portretizon një mesazh që qytetit të Prishtinës po i vjen drita dhe që për njëqind ditë radhazi do të paraqitet puna e pakrahasueshme e gjithsej 103 artistëve ku 60 përqind prej tyre janë vendorë, shkruan KultPlus.

Hapja zyrtare e “Manifesta 14 Prishtina” përkoi me premierën e performancës ‘LYNX’ të artistit kosovar Astrit Ismaili si dhe grupit të tij performues, pikërisht në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Njëlloj sikurse copëzat kreative që i shohim nëpër kryeqytet e që kokë e këmbë frymojnë në vazhdën e artit bashkëkohor, e tillë ishte edhe performanca e tyre. Ndonëse edhe hapësira e paraparë për interpretimin ishte mbushur me njerëz, ata lehtazi bënë të mundur shfaqjen e tyre artistike para një numri tejet të madh të audiencës, e që kishte kaluar edhe përtej kapacitet të mundshëm të sallës.

Gjithsej katër trupa të lidhur me spango nga katër makina në një formë interesante shpalosën idenë e një njeriu që është i mbyllur përbrenda një hapësire pa dalje. Me një mesazh sa të fuqishëm e aq të thellë, kjo performancë jehoi mbi atë se çfarë në të vërtetë trupi ynë mund të përballojë. Trupat që herë lëvizin vetëm e herë bashkëngjiten me njëri-tjetrin nëpërmjet fijeve që janë të lidhura në makineritë e tyre, e përdorin zërin e tyre për të rezistuar ndaj kufizimeve të lëvizjeve të tyre.

Rebelimi drejt një lirie personale që çon drejt një rruge të ndryshimit shoqëror, është edhe thelbi kyç që përmban kjo performancë. Qysh nga veshjet unike e deri tek hapat preciz që shkelin mbi platformë me kërcitje të pandalshme, zëri i katër performuesve u dëgjua përbrenda një hapësire dhe u pëlqye mjaft shumë edhe nga publiku që me ëndje i shikonte. Ndërkaq, nuk ka munguar as edhe vija melodike e bukur e ‘Lule borë’ që vjen e kompozuar nga Selvete Krasniqi-Ismaili e që në skenë e ka sjell edhe Blerta Ismailin.

Blerta me vokalin e saj e Astriti mu në mes të skenës kanë sjell një përfundim që nuk do as fjalë për t’u përshkruar. Një zë rrëqethës dhe një lëvizje e një tepsie që përbri ka një dritë që reflekton sa herë që Astriti me një dorë e rrotullon, ka shënuar fundin e kësaj performance që mbajti zgjuar vëmendjen e gjithsecilit të pranishëm për të kërkuar e për të ndjekur pas rezistencën në çdo formë të mundshme.

Pas hapjes artistike, një hapje tjetër zyrtare me fjalime zuri vend në Pllaton e Pallatit të Rinisë. E gjithë vëmendja e publikut ra direkt mbi Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, e cila është shprehur të jetë e lumtur që Kosova po shfaqet ashtu siç është; një qendër kulturore.

“Është kënaqësi e veçantë të jem me komunitetin artistik të Republikës së Kosovës dhe atë të tridhjetë vendeve pjesëmarrëse në Manifestën e sivjetme, e njohur gjerësisht si Bienalja Nomade Evropiane. Imazhi sonte i Prishtinës është imazhi që i shkon më shumë Prishtinës. Prishtina është në më të mirën e saj kur mirëpret njerëz nga e gjithë bota. Pikërisht atëherë kemi mundësinë e artë për të shfaqur më së miri shpirtin rinor të kryeqytetit tonë si dhe hapjen ndaj kulturave dhe kombeve të ndryshme në mbarë botën. Në një total prej 100 ditësh të Manifestës, perëndesha jonë në fron do të shkëlqejë më shumë dhe do të kthehet në një pikë referimi të kulturës ndërkombëtare. Në këto 100 ditë artistë, arkitektë dhe shumë profesionistë të tjerë do të bashkohen dhe do të shkëmbejnë ide dhe përvoja në ekspozita, evente, performanca dhe ndërhyrje në hapësira të ndryshme publike në Prishtinë. Është një fakt i njohur gjerësisht se Kosova është vendi i rinisë, prandaj është kënaqësi që artistët e rinj e bënë Kosovën referencë globale për këtë ngjarje të madhe kulturore”, thotë ajo.

Sipas saj, edicioni i 14-të i Manifestës përkon me 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, andaj edhe ky edicion është një festë e artit, por po aq është edhe një dedikim për lirinë tonë. Është një përkushtim ndaj përpjekjeve tona të përditshme për të nxitur ndryshime pozitive, reforma kuptimplota dhe zhvillim të vazhdueshëm. Ajo konsideron se këto janë edhe vlera që promovon Manifesta.

“Manifesta zgjodhi Prishtinën këtë vit dhe zgjodhi traditën e ndërthurur me modernitetin që bashkërisht i shtojnë ngjyrë, shpirt dhe bukuri kryeqytetit tonë. Manifesta 14 në Prishtinë është një mundësi fantastike për të rigjallëruar identitetin vendor dhe ndërkombëtar të kryeqytetit tonë. Është një moment ideal për të riafirmuar identitetin tonë evropian, është gjithashtu një moment ideal për t’i shpalosur botës, potencialin tonë të jashtëzakonshëm. Prishtina sivjet e sjell Manifestën në Kosovë dhe kështu e sjell Kosovën në Evropë. Bienalja Nomade është shansi ynë që ta prezantojmë Prishtinën ashtu siç është në të vërtetë, qendër e artit në kulturë. Manifesta është gjithashtu një mundësi për të treguar historinë tonë dhe sonte dua të tregoj një të shkurtër për Prishtinën. Kjo histori përbëhet nga tradita, historia dhe trashëgimia kulturore. Historia jonë daton nga lashtësia ilire, Dardania e lashtë dhe tani e tashmja lulëzon duke përqafuar frymën transformuese në nivel shtetëror dhe shoqëri. Historia e Kosovës është një histori e shtetit tonë që u përball me një luftë të tmerrshme, por sot po lulëzon për shkak të njerëzve tanë dhe të një shoqërie që i mbijetoi tendencave shfarosëse të një regjimi gjenocidal, të një Republike që fitoi lirinë e saj dhe sot aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, shpalos Osmani-Sadriu.

Krejt në fund, ajo nuk la pa përmendur edhe çështjen e vizave dhe kufizimin e lirisë së qytetarëve që sipas saj askush nuk e meriton.

“Zonja dhe zotërinj, miq nga Evropa, shikoni përreth jush. Askush nuk e meriton më shumë lirinë e lëvizjes sesa njerëzit që shihni sot rreth jush. Arti nuk pranon kufizime. Arti do liri. Arti lulëzon përmes lirisë. Ashtu siç artistët kanë arritur të eliminojnë barrierat përmes kulturës së shkëmbimit, ne duhet të kufizojmë barrierat për lirinë e lëvizjes për popullin e Kosovës. Ne duam të jemi në gjendje të lëvizim lirshëm sepse kemi shumë për të treguar dhe ofruar, jo vetëm Evropës por edhe botës. Ndërsa Manifesta lëviz lirshëm nga një qytet në tjetrin, nga një vend në tjetrin, artistët dhe të rinjtë tanë meritojnë plotësisht të mund të lëvizin lirshëm gjithashtu. Jam e bindur se arti triumfon gjithmonë dhe do të triumfojë edhe shpirti i popullit tonë. Historia jonë e lirisë, paqes dhe shpirtit transformues meriton t’i drejtohet botës. Evropa ashtu si Manifesta duhet të dëgjojë dhe të përqafojë historinë e lirisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm”, përfundon Osmani-Sadriu.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka folur rreth interesimit të tij qysh në fillim për Manifestën e më pas edhe ka përmendur se qysh të qenit shqiptar dikur ka qenë rrezikshmëri por që edhe në atë kohë ngjarjet kulturore nuk kanë munguar.

“Katër vjet më parë, kur po nënshkruaja një letër mbështetëse për ofertën zyrtare për të organizuar Manifesta, nuk isha i sigurt se çfarë të prisja. Më ka intriguar emri Manifesta dhe lëvizja politike që unë i përkas, filloi me një manifestim. Leximet e mia për Manifestën më bënë kurioz. Sipas mendimit tim, Manifesta është një qytet që mahnit Evropën si një spektër, si një fantazmë, derisa përqafon një qytet evropian, duke e mishëruar veten në atë që bën dallimin nga qyteti ku vendoset. Prishtina ka qenë gjithmonë një qytet i gjallë dhe kreativ, edhe në ditët më të këqija kur të jesh shqiptar ishte shumë i rrezikshëm, gjithmonë ekzistonte një kulturë e jetës që ndodhte nën tokë. Koncertet dhe ekspozitat ndodhën në kafene, restorante, brenda shtëpive private të njerëzve dhe bodrumeve”, thotë Kurti.

Sipas tij, kur Prishtina u zgjodh si mikpritëse sot, ai u mahnit kur ka parë se si Manifesta arriti të zbulojë saktësisht shpirtin e njerëzve dhe kjo është arsyeja pse ai është plotësisht i bindur se në 100 ditët në vijim, në të gjithë Manifestën, do të sohim Kosovën duke u shpalosur në më të mirën dhe duke shkëlqyer vetëm. Të kesh një bienale ndërkombëtare në një kryeqytet, e bënë një kryeministër krenar dhe ky rast për të, nuk është ndryshe.

“Për 100 ditë, Manifesta do të qeverisë paralelisht me qeverinë time, por do të ketë më shumë artistë se ditë, domethënë 103 artistë, më shumë vende se sa orë të ditës dhe më shumë vende se anëtarët evropianë. Këto ditë do të jenë një frymë e pastër dhe një vështrim i bukur për qytetarët e vendit tonë. Do të ketë ekspozita, propozime të reja krijuese për rigjenerimin urban, shprehje dhe shkëmbime të pacenuara. Ne kemi shumë për të mësuar nga kolegët tanë evropianë, po ashtu edhe Kosova ka shumë për të dhënë në këmbim. Tani, pas 14 vitesh pavarësi, le ta shijojmë së bashku Manifestën 14”, përfundon ai.

Gjithashtu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka përmendur se çfarë ka bërë Manifesta për këtë vend.

“Është me të vërtetë kënaqësi e madhe me qenë këtu sot edhe me përjetu këtë atmosferë fantastike që ka e sjell bienalja nomade, Manifesta 14. Prishtina është në mesin e qyteteve evropiane tash dhe ne tani e kemi Prishtinën në kulmet e mediave botërore të artit dhe kulturës si një vend nikoqir i Manifestës. Përveç që Manifesta ka sjell artistë të ndryshëm botërorë këtu, e ka krijuar edhe një platformë fantastike këtu me artistët tonë të vendit. E shihni çka bënë Manifesta për vendin tonë”, ka thënë ai.

Tutje, në shenjë solidarizimi për gjithë atë se çfarë po ndodh në Ukrainë, sopranoja Arta Jashari këndoi himnin e Ukrainës, për të rritur vëmendjen mbi luftën dhe mbi jetët e humbura tashmë në Ukrainë. Nën drita që u shndërruan në ngjyra të flamurit ukrainas, zëri i sopranos Jashari jehoi nën qiellin e hapur të Prishtinës.

Më pastaj pjesëmarrësit kanë dëgjuar edhe dy fjalimet e fundit për këtë natë. Fillimisht, presidenti i bordit ndërkombëtar të Manifestës, Alexander Rinnooy Kan ka cilësuar Prishtinën si një vend sfidues por mjaft ambicioz.

“Kur bordi vendosi që Prishtina të jetë vendi i Manifesta 14, ne e kuptuam plotësisht se kjo do të na ofrojë një sfidë të pazakontë dhe një sfidë që sigurisht ka qenë e tillë. Në të njëjtën kohë, ka qenë një privilegj të përjetosh energjinë pozitive. I jemi shumë mirënjohës Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e tyre. Ndryshimi urban është roli në të cilin Manifesta është rritur brenda udhëheqjes së Hedwig Fijen. Dhe në Prishtinë këtu ne e ndjekim këtë synim si pjesë e një sfide të rëndësishme evropiane, për të njohur ambiciet e këtij vendi. Më shumë se çdo gjë tjetër, ne jemi evropianë. Prishtina është një surprizë e këndshme për vizitorët e saj për herë të parë, qyteti i saj fantastik për të cilin të gjithë mund të krenoheni. Një vend i mrekullueshëm për të vëzhguar sesi arti dhe kultura shtojnë ngjyra, emocione dhe krenari”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtoresha e Manifesës, Hedwig Fijen ka thënë se kjo është hera e parë që bienalja po zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.

“Jam super mirënjohëse që më në fund pas katër vitesh qëndroj para jush, së bashku me ekipin tim të Manifesta 14 dhe hapim Manifesta 14 në Prishtinë. Edicioni i 14-të i Manifesta shënon herën e parë që kjo bienale zhvillohet në Ballkanin Perëndimor dhe ne jemi super krenarë që prezantojmë më shumë se 100 qindra artistë nga më shumë se 30 vende. 60 përqind e këtyre artistëve vijnë nga ky rajon. Manifesta Prishtina është rezultat i një kolektivi të mrekullueshëm. Shpresojmë që për njëqind ditët e ardhshme, të shijoni Manifestën në Prishtinë dhe e shihni fuqinë e shoqërisë së gjallë të Kosovës”, ka thënë ajo.

Mbrëmja vazhdoi me një performancë speciale nga bendi “Jungle by Night”, që elektrizoi publikun me veçantinë e tyre të paparë. Instrumentet diversive në skenë kanë ndezur një llojllojshmëri melodish që preknin secilin të pranishëm, duke i ofruar atyre një interpretim që s’do ta harrojnë për një kohë të gjatë. Energjia e tyre dhe ndërveprimet në skenë veçse ia shtuan një hijeshi tjetër Prishtinës.

Krejt në fund të kësaj mbrëmjeje, ishin ‘Prishtina All Stars’ (Alban Nimani, ANDRRA, Cute Babulja, Edona Vatoci, Elina Duni, Dritëro Nikqi, La Fazani, Genc Salihu, Mimoza Hajdini, SYTË, NR, Shpat Deda, Tomor Kuçi), ata që do të performonin një nga një. Herë nga një këngë e herë nga dy, secili artist ka dëshmuar mbrëmë për një pasion të zjarrtë që shpalosej nga momenti në moment. Atmosfera që mbrëmë ka ndriçuar Prishtinën në ngjyra nga më të ndryshmet, ka ardhur pikërisht nga këta yje që lanë shpirtin e tyre në skenë, teksa çdo i pranishëm në publik ka dhënë shpirtin e tyre për të kënduar rresht pas rreshti secilën këngë.

Nga data 22 korrik deri më 30 tetor, Manifesta 14 Prishtina prezanton një program 100 ditor të përbërë nga ndërhyrje të shumta artistike dhe urbane, shfaqje, ngjarje dhe punëtori. Programi i Manifesta 14 i përgjigjet thirrjes së qytetit të Prishtinës, por edhe nevojës globale për të rikthyer dhe rimenduar hapësirat publike. Një Vizion Urban dhe ndërhyrjet urbane nga CRA-Carlo Ratti Associati, një seri konsultimesh me qytetarët dhe projekte të thelluara kërkimore nga ekipi i Edukimit i Manifesta 14, kanë frymëzuar një program artistik dhe urban shumështresor. / KultPlus.com

Të ngjajshme