HAVEIT: ‘Ne jemi grup artistik që i takojmë rrugës’

3 Korrik, 2018 - 8:44 pm

Punët e tyre artistike kanë ditur gjithmonë të godasin në realitetin kosovar. Kosovarët lirshëm shpesh edhe i kanë kërcënuar, aq lirshëm sa çdo ditë kërcënohet në këtë shoqëri kosovare ku luhet me letra të hapura kur vjen puna te kërcënimet paskrupull, por katër vajzat e grupit HAVEIT nuk kanë ndaluar.

Puthja e tyre në Sheshin e qytetit në Prishtinë ende është momentum i kohës. Tregimi i vajzave gjithmonë është i begatshëm edhe vite e vite pas debutimit të tyre artistik.

Sot në Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian, Hana Qena dhe Alketa Sylaj nga HAVEIT ishin pjesë e një bisede artistike – small artistic talk – ku treguan më shumë për përvojën e tyre dhe për planet e tyre, shkruan KultPlus.

Vajzat që jo shumë kohë më parë arritën deri te vëmendja e The Guardian për shkak të billbordeve me emrat e viktimave familjare – mes tyre Diana Kastrati e Zejnepe Bytyqi, para audiencës në Prishtinë prezantuan të kaluarën e tyre dhe vizionin për një të ardhme ku katërshja e vajzave thumbojnë bash aty ku nuk pritet e përllogaritet.
“Është interesante sepse punët tona lindin shumë shpejtë, sepse nëse nuk i realizojmë ashtu atëherë edhe ne jemi vetëm disa të rinj që mbesin duke u ankuar. Ne kemi pasur fillimisht opinione të fuqishme që i kemi përkthyer në punë. Punët tona vijnë si nevojë prej problemeve me të cilat ballafaqohemi çdo ditë” tregoi mes tjerash Alketa Sylaj.

Grupi foli për fillimet në vitin 2011-të, për punët artistike që pasuan – “Jepi me gojë” apo “Tagër”, për performancat e tyre në hapësirë publike por edhe për faktin se me kalimin e kohës ato janë zhvilluar dhe sot vijnë si artiste në forma të ndryshme.

“Performancat tonë janë performanca përtoke, e kur kemi dalë në rrugë e kemi kuptuar si është të njoftohesh me të panjohurën. Në plot prej performancave tona më pas ne vetë si HAVEIT kemi hasur probleme, kemi hasur në pyetje prej familjarëve në lidhje me performancat, por kjo është vetëm pjesë e punës dhe angazhimit tonë” tregoi Hana Qena.

U debatua edhe për puthjen e famshme që katër vajzat e realizuan para disa vitesh përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës, në ditën e Shën Valentinit, si revoltë ndaj shtypjes që kjo shoqëri i bën dashurisë mes personave të gjinisë së njëjtë.
“Është interesant fakti se kur shkuam në Polici, ata vetë na thanë që ta fshinim fotografinë që e kishim vendosë në rrjete sociale, ku po putheshim. Atyre u dukeshim një komunitet qesharak ndërsa kemi marrë atëherë plot mbështetje por edhe plot kërcënime. Megjithatë kjo ka qenë një kohë kur ka pasur debat rreth komunitetit LGBT” tregoi Hana Qena.

Pasi prezantuan një pjesë të punëve të tyre artistike ndër vite, HAVEIT treguan për planet.
Në korrik do të kenë një ekspozitë në Tiranë ndërsa më vonë do të jenë pjesë e një residence artistike jashtë vendit. Një pjesëmarrje në Shkodër poashtu do të jetë pjesë e planit artistik të Vesa Qenës, Lola Sylajt, Hana Qenës dhe Alketa Sylajt. / KultPlus.com

Të ngjajshme