Haveit, zëri i temave të anashkaluara

6 Shkurt, 2019 - 3:03 pm

Gili Hoxhaj

Në kuadër të ekspozitës “Perceptimet: Burrneshat”, as sot nuk mungoi kafeja e mëngjesit me artistet kosovare, që tash e një javë po ndajnë rrugëtimin e tyre me publikun.  Haveit përbën një nga grupet më të njohura në komunitetin artistik dhe jo vetëm për instilacionet e tyre në kuadër të e ekspozitave e galerive. Temat aktuale shpesh kërkojnë reflektimin artistik për të prekur publikun. Haveit jo në pak raste e kanë marrë përsipër reagimin e shpejtë ndaj këtyre temave. Ato kanë vendosur të krijojnë në zhurmën e atyre ngjarjeve.

Derisa për të ekspozuar në një  galeri lypsen disa procedura dhe një afat i caktuar kohor, ato shpesh kanë zgjedhur rrugën për të shpalosur artin e tyre, kjo si rezultat që disa tema kanë kërkuar reflektim më emergjent. Një rast i ngjashëm ka qenë ai i billboardeve vitin e kaluar që kishte marrë vëmendjen edhe të medieve ndërkombëtare. Billboard të vendosura pranë stacionit policor, kishin ngritur një pyetje thelbësore se edhe për sa kohë do të neglizhohet dhuna ndaj grave. Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi janë emrat përfaqësues të grave që janë neglizhuar nga drejtësia dhe si pasojë janë vrarë nga burrat e tyre. “Edhe sa thirrje të humbura?”, ishte pyetja kryesore që kërkonte përgjigje në atë se sa do të vazhdohet të neglizhohen e dhuna ndaj tyre nuk do të merrej seriozisht nga organet kompetente. Ekspozimin e tyre në rrugë e shohin si një formë më të sinqertë të komunikimit me publikun, për dallim nga reagimet në galeri dhe teatër, ku publiku  sillet në një rreth të njëjte njerëzish.

Arbërore Sylaj tha se fillimisht nuk e kishin menduar se do të bëhen një grup artistik, por reagimi që kanë ngjallur punët e tyre, kanë bërë që të vazhdojnë reagimin artistik edhe ndaj shumë temave të tjera.

“Në vitin 2012 kur e kanë vrarë Diana Kastratin, na u është dukur që vendi ku ne jetojmë ka filluar të bëhet i rrezikshëm dhe e kemi parë të arsyeshme të reagojmë dhe e kemi bërë një performancë në rrugë”, ka treguar Sylaj, shkruan KultPlus.

HAVEIT  përbëhet nga: Alketë Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj. Ky është një grup që përbëhet prej katër grave të cilat kanë tendencë të shkojnë përtej kënaqësive ditore, rregullave të moralit si dhe refuzojnë të pajtohen me çështjet që iu shërbehen të gatshme. E themeluar në vitin 2011, ato tentojnë që të prekin historinë e secilit. Ato kanë mbajtur performansa të shumta rrugore si “Ekzaminimi”, “Je Suis Glamour”, “Pa ujë e me fontanë”, “Dita e Shën Valentinit”, “Përdorni gojën tuaj”, “Shoeining”, “Pushimi i gjatë”, “Rruajtja e Patriarkalitetit “, “Edhe sa thirrje të humbura “, e të tjera.

Ato thanë se performancat e tyre tentojnë të flasin për tema që shpesh anashkalohen. Një nga fotografitë që ka mbetur akoma në mendjen e shumëkujt, është edhe puthja e tyre në mes te sheshit, si formë vetëdijesimi për pranimin e komunitetit LGBTI në hapësirën publike. Ato sot treguan edhe si iu kishte lindur kjo ide.

“Viti kur e kemi bërë puthjen, ka qenë një vit pasi që Kosovo 2.0 prezantoi revistën “SEX, njerëzit sidomos ekstremistët mysliman e priten me shqetësim dhe filluan protestat kundër asaj, dhe pas asaj filloi me u shfaq një urrejtje ndaj këtij komuniteti. Neve na u dok e arsyeshme, sidomos para ditës së  Shën Valentinit, filluam të mendojmë se si gjithçka ka filluar të rregullohet në kryeqytet, me zemra, me lula dhe si personat e komunitetit LGBTI nuk mund të dalin dorë për dore për shkak të frikës që e kanë. Njerëzit na njihnin edhe në rrugë dhe kemi pasur kërcënime të shumta, por megjithatë kemi vazhduar punën tonë”, tregoi Arbërore Sylaj, shkruan KultPlus.

Rruga, si formë e ekspozimit ndaj një komuniteti më të gjerë, Hana Qena, pjesë e grupit artistik Haveit tha se kanë zgjedhur rrugën për t’i ekspozuar idetë e tyre, pasi që aty njerëz të ndryshëm mund të takojnë dhe nuk kanë nevojë të vijnë në teatër dhe galeri për të parë punën tënde, aty ku publiku është më i zgjedhur.

“Nevoja për të mos qenë diskrete, për  të qenë të hapur na ka shtyrë që të dalim në qytet dhe me performu, ku çdo kush mund të reagojë. Ashtu siç është reagimi jonë i menjëhershëm, ashtu është edhe reagimi i tyre”, u shpreh Hana Qena.

Përveç instalacioneve në rrugë, ato thanë se për ta bërë artin e tyre më të qasshëm, ju kanë ndihmuar edhe rrjetet sociale, sidomos Facebook-u.

“Është shumë mirë më e përdorë Facebook-un për faktin që nuk e kap vetëm një grup të caktuar por është një imazh që mund ta shoh çdo kush”, tha ndër të tjera Alketa Sylaj.

Ato pohuan se fillimisht prindërit e tyre nuk është se e kishin kuptuar shumë qëllimin e tyre, por me kalimin e kohës duke e parë impaktin e tyre, thotë se kanë gjetur edhe përkrahjen e tyre dhe në një farë forme kanë ndryshuar bashkë dhe janë edukuar bashkë, përgjatë zhvillimit të tyre artistik. Madje, ato thonë se tani shpesh edhe ju ndihmojnë në punën e tyre.

“Shqetësimet që i kemi na, i kanë edhe prindërit tanë, sepse e dimë ku po jetojmë dhe e dijnë që në këtë vend nuk po ka shumë ndryshim”, tha Hana Qena.

Tutje ato thanë se kjo ka ndikuar që ata të hapin më shumë tema, që më parë nuk i kanë hapur.

“Për tema që nuk kemi folur më herët me ta, tani janë shumë të hapur dhe flasim, dhe kjo ka ndikuar që në një farë forme të rritemi dhe të edukohemi bashkë”, u shpreh Alketa Sylaj.


Grupi Haveit janë të njohura për video instalimet siç janë: “Kur babai qau, nëna mi lau sytë”, “Tager”, “Baby Blues”, “Pushimi i gjatë”, dhe shumë tjera.e HAVEIT gjithashtu kanë mbajtur ekspozita personale në “Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, në Galerinë “Motrat”- Prishtinë, si dhe Galerinë “Bazement” në Tiranë.

Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” si dhe diskutimet që po zhvillohen janë rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë.
/ KultPlus.com

https://kosovo.britishcouncil.org/programmes/arts/perceptions

Të ngjajshme