Histori e kujtime të 19 artistëve shpalosen në ekspozitën Çmimi Muslim Mulliqi 2018

18 Tetor, 2018 - 9:57 pm

Gili Hoxhaj

Rreth 65 artistë i janë përgjigjur pyetjes së kuratores Iara Boubnova se “A janë histori kujtimet tona”, e më pas 19 prej tyre kanë arritur të jenë pjesë e ekspozitës Çmimi Muslim Mulliqi që shënoi sonte hapjen e edicionit të 12-të.

Punimet e këtyre 19 artistëve kishin mbushur muret e të dy kateve në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Mes punimeve të formateve e materialeve të ndryshme që lidheshin me pyetjen se “A janë histori kujtimet tona”, triumfuan punimet e Artan Hajrullahut dhe Valdrin Thaqit.
Juria e këtij edicioni të çmimit “Muslim Mullqiqi” ishte në përbërje të Visar Mulliqit, profesor i pikturës në Fakultetin e Arteve në UP, Dita Starova-Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhee Valentina Bonizzi, artiste vizuale.

Valentina Bonizzi para se të ndante çmimet tha se kanë pasur një detyrë mjaft të vështirë pasi që punimet e kësaj ekspozite kanë qenë shumë të arrira artistikisht.
“Kam kënaqësinë që jam në mesin tuaj. Ne si juri me të vërtetë kemi pasur një detyrë të vështirë pasi që ekspozita që do të shihni është shumë e mirë dhe me këtë rast dua t’i përgëzoj të gjithë artistët që janë pjesë e saj dhe drejtoreshën Arta Agani. Përkundër kësaj puna jonë ishte që të selektojmë fituesit”, u shpreh tutje ajo.
Bonizzi e cila foli në emër të jurisë tha edhe disa fjalë për punët fituese të Artan Hajrullahut dhe Valdrin Thaqit, ndërsa theksoi veçanërisht punën e Blerta Hoxhës për instalimin e saj fotografik që përfaqëson tek shikuesit një histori kolektive dhe individuale.

“Dua të shtoj një fjalë për artistët fitues, pra juria erdhi tek ky vendim pasi që vizatimet e Artan Hajrullahut janë një narracion që shprehin një storie unike, që janë një kombinim i kujtimit personal të artistit me përkushtimin e tij për transformimin e realitetit që na rrethon. Ndërsa instalimi metafizik i Valdrin Thaqit fuqizon shpirtëroren kundrejt marrëdhënies eksperimentale të memories”, u shpreh Bonizi.

Puna e Artan Hajrullahut që kishte zënë vend në hapësirën e katit të parë Galerisë përfaqësonte preukopimin e temave të jetës së përditshme dhe nostalgjisë. Vizatimet e tij përshkruajnë skena të përditshme dhe kujtime të fëmijërisë së artistit, ku marrëdhëniet midis qenieve njerëzore dhe objekteve shtëpiake tregojnë histori poetike.

Hajrullahu tregoi për KultPlus se këto punime janë një autobiografi e tij, ku janë të përfshira disa detaje të përditshmërisë, fëmijërisë së tij e që e kanë përcjellë gjatë gjithë kohës.
“Janë detaje ku përmblodha moment të caktuara të jetës e që në çdo punim timin dikush mund ta gjejë veten. Kjo është një kohë e kaluar që sjellë, kujton një të kaluar, qoftë e mirë a e keqe, një e kaluar e imja dhe gjithsecilit tjetër”, u shpreh Hajrullahu.
Ai tha se ndihet shumë mirë që ka fituar këtë çmim, veçmas edhe për fituesin tjetër pasi që është më i ri dhe ky çmim u shërben mjaft mirë për stimulim në artin e tyre.

Në katin e dytë në një skaj një dhomë është e rezervuar për konceptin e Thaqit i cili e ka vendosur atë në një hapësirë të bardhë ku dëgjohet zëri i tij që shpalos atë që ai ka shkruar në formë poetike që është mes metafizikës dhe shpirtërores.
Sipas konceptit të Valdrin Thaqit, kujtesa është një gjë shumë e brishtë, konstruktive dhe rikonstruktive, ku mund të hysh dhe të dalësh dhe mund ta ndryshosh. Sipas tij të gjithë vuajnë nga kujtesa e shtypur dhe pikërisht kjo është sfiduese sepse brengosemi për ato kujtime vetëm kur fillojmë t’i risjellim kujtimet që e sfidojnë realitetin momental.

Thaqi u shpreh për KultPlus se pjesëmarrja në një ekspozitë me këta artistë, ka qenë nder i madh për të, ndërsa zbërtheu edhe më tutje konceptin e hapësirës.

“Koncepti kanë qenë kujtimet, a janë histori kujtimet tona. Unë jam munduar ta bëj një përmbledhje mes kujtimeve të ndrydhura që i kemi brenda vetes. Ideja e instalacionit ka qenë të inkuadrojë publikun bashkë me punën, në mënyrë që publiku dhe vepra të bashkëveprojnë. Ideja e dhomës, ndriçimi që ka qenë më intenziv ka qenë të shkëpus prej botës, të vë në një dimension tjetër menjëherë sapo hyn në dhomë. Të të vë në një ambient tjetër. Dhe tepihu, ideja që të ulesh të shkelësh të ndihesh rehat brenda asaj dhome dhe të dëgjosh zërin tim”, u shpreh Thaqi.
Iniciuar në vitin 2003 nga Ministria e Kulturës e Kosovës për të promovuar artistët vizual në Kosovë, ekspozita e Çmimit Muslim Mulliqi është ekspozita më e rëndësishme për artet bashkëkohore vizuale në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme