Historia e Lokes Hanë erdhi sonte nga Dia Morina dhe Zgjim Zyba

4 Prill, 2018 - 10:37 pm

Gili Hoxhaj

Duke zbritur shkallëve të Lapidariumit të Muzeut të Kosovës, sheh plot njerëz që janë mbledhur për të parë ekspozitën “sikur Hana”. Brendësia e Lapidariumit është e errët por drita është e mjaftueshme për të parë gjashtë fotografi të digjitalizuara e në formatin bardhë dhe zi. Nga larg ato të japin ndjesinë e pjesëve të ndryshme e të vjetra të Kosovës por nëse fotografitë shikohen nga afër, ideja kalon përtej kësaj. Ekspozita flet për një pjesë të rëndësishme të historisë së një gruaje, si dëshmi e fuqisë së saj në kohë, e si frymëzim për të nxjerrur edhe shumë rrëfime të tjera.

“Që të shkruhet një histori nuk mjafton që ajo të ndodhë. Gjurmët që le dhe interpretimi i narracionit janë tejet të rëndësishme për ta bërë vetë historinë. Kjo ekspozitë i bën të dukshme atributet e gruas që asnjëherë nuk i kemi shkruar e as thënë me zë”, është mbishkrimi i antropologes Zanita Halimi që qëndron në xhamat e Lapidariumit, e si i tillë është një ftesë për të zbuluar ekspozitën që u hap sonte e më shumë si një ftesë që kësaj historie t’i bashkohen edhe ato të tjerat që pa u treguar janë bërë pjesë e harresës.


Dia Morinën dhe Zgjim Zybën i ka bashkuar një personalitet i familjes së tyre.

Në trungun e tyre familjar, ata kanë një personalitet që i lidh dhe ky personalitet është një grua, rrëfimi për të cilën i ka fascinuar në çdo fjalë e ka bërë që ata ta ndjejnë praninë e saj edhe sot.
Duke qenë se prekim në atë pjesë të historisë familjare, kjo nënkupton që po flitet për një grua që e ka dëshmuar fuqinë e saj shumë dekada më herët.

“Lokja Hanë”, është katragjyshja e Dia Morinës dhe Zgjim Zybës. Ata janë rritur me rrëfimet për të, e këto rrëfime i sollën përmes një personaliteti tjetër që është Salë Zyba, zëri i së cilës dëgjohet në muze.

Fjalët e kësaj gruaje dëshmojnë për historinë e një gruaje tjetër, veprimtaria e së cilës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e saj. Siç shprehet antropologia Zanita Halimi, përmes historisë së Lokes Hanë kuptojmë që ka edhe plot histori të grave të tjera që janë shquar për guximin, dijen, largpamësinë, thellësinë e mendimit për të zgjidhur situata të vështira jo vetëm të familjes por edhe me gjerë.

Drejtori i Muzeut të Kosovës – Skënder Boshtrakaj në ceremoninë hapëse të ekspozitës tha se kjo është më shumë se një ekspozitë e kthim mbrapa në histori, është një rrëfim personal dhe përfaqësues që e nxjerr në pah Loken Hanë dhe histori të shumë lokeve të tjera që kanë dhënë kontribut në jetën e tyre dhe jetën e të tjerëve edhe në rrethana të vështira.

“Ky është një rast i mirë që ta kthejmë vëmendjen tek disa histori të mbuluara nga harresa ndonjëherë edhe me injorancë dhe pse jo ta kthejmë vëmendjen tek gruaja. Unë nuk pritoj ta them se kjo dekadë e Pavarësisë së Kosovës e ka emrin Femër sepse kjo dekadë shënohet me suksesin e emrave të femrave”, u shpreh Boshtrakaj, i cili tha se kjo shërben edhe si thirrje që femrën ta lëmë të lirë që ta tregojë potencialin e saj.

Zanita Halimi tha se rezultati i kësaj ekspozite tregon më së miri se si mund të funksionojë aritisti së bashku me etnologun dhe antropologun që t’i zbardhin disa histori me të cilat rriten e nuk konsiderohen si të rëndësishme.
“Jemi rritur në vende me prirës të vendit, ku personalitetet kanë qenë gjithnjë burra dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar por ndonjë histori të dikujt që e ka përfaqësuar vendin dhe ka qenë grua. Kjo histori personale mund të shërbejë si thirrje që sa më shumë ngjarje të tilla të dokumentohen”, u shpreh antropologia Halimi.
Brenda Lapidariumit janë të vendosura gjashtë fotografi, të cilat përmbajnë nga një grua, të cilat qëllimisht janë rrethekuar. Fotografitë janë marrë nga arkivi i shtetit dhe janë digjitalizuar nga fotografi Arben Llapashtica. Arsyeja përse këto fotografi shpalosen në këtë ekspozitë është për të treguar se secila nga këto gra mund të ketë një histori që duhet shpalosur sot.

Lokja Hanë është katragjyshja e Die Morinës nga ana e nënës, e katragjyshja e Zgjim Zybës nga ana e babait. Dia e cila është rritur me historitë e një gruaje të fuqishme që i ka takuar një brezi të familjes së saj, e ka menduar shpesh publikimin e historisë së saj por duket që niveli artistik i Zgjimit ka qenë shtysa kryesore që kjo ekspozitë të shpaloset sonte në këtë format.

Rrëfimi i saj vjen përmes audios që mbesa e Lokës Hanë, 84 vjeçare, e sjellë përmes kujtesës së saj të freskët. Die Morina tregoi se rrëfimi i saj e tregon Loken Hanë si një grua që ka bërë tregëti.
“Ne jemi rritur me historitë si ara e Lokës Hanë, toka e Lokës Hanë dhe kjo audio që e kemi në ekspozitë, është mbesa e Lokës Hanë e që ne e thërrasim Halla Salë, që i ka 84 vjet dhe e ka kujtesën shumë të freskët sa i përket Lokes Hanë. Në bazë të asaj çfarë ajo e kujton atë, okja Hanë ka qenë një grua që ka bërë biznes, ka blerë arra në Pranverë dhe i ka shitur ato në një stinë kur ato kanë kushtuar me shtrenjtë dhe me ato para ka blerë mal”, tregoi Die Morina për KultPlus.

Tregëtia me arra nuk ka qenë e vetmja me të cilën Lokja Hanë është angazhuar, dhentë kanë shërbyer si një formë tjetër e tregtisë për të. Sipas rrëfimeve për të ajo ka blerë dhentë dhe ka përfituar edhe nga qumështi e leshi i tyre. Një pjesë e historisë së saj lidhet edhe me Kalin e Shalës, thuhet se ajo pjesën më të madhe të rrugëve i ka ecur me anë të atij kali. Kur ajo me kalin e saj kalonte nga fshati Grekoc i Suharekës në fshatin tjetër Bukosh, banorët e asaj anë kur i dëgjonin gjurmët e kalit në mbrëmje, e dinin që ajo ishte Lokja Hanë që po kthehej nga dita e saj e punës.

“Për kohën në të cilën ajo ka jetuar jo çdokush ka pasur kalë të shalës, e aq më pak një grua dhe me atë kalë ka shkuar nga Suhareka, aty ku është sot Brezovica, atje ajo ka shitur punën e saj që e ka bërë gjatë pranverës dhe gjatë kohës në të cilën ajo ka punuar”, u shpreh Die Morina.

Artisti Zgjim Zyba tregoi për instalacionin e audios i cili rrethohet me gjashtë zmadhues, e që e kanë refleksin e gjashtë fotografive, e këpucët e vendosura i përkasin fillimit të shekullit 20, kështu për të dëshmuar që gruaja ka qenë shtyllë e familjes.

“Ne si pasardhës jemi munduar që t’i tregojmë këto histori me anë të rrëfimit të hallës së babait tim, Salë Zyba e cila na ka inspiruar gjithnjë që përmes artit ta nxjerrim në pah rolin e grave”, tregoi Zyba.
Kjo ekspozitë do të jetë pjesë e koleksionit të ekspozitës bazë që është hapur në Muzeun e Kosovës për nderë të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme