Hospital prezanton ekspozitë me artifakte dhe vepra nga Agron Mulliqi

12 Gusht, 2019 - 6:56 pm

Me datë 15 gusht hapet në kryeqytet ekspozita ‘Kabineti i Imanencës’ e artistit Agron Mulliqi, me kurator Genc Kadriun.

Kabineti i Imanencës është një ekspozitë që e zë hapësirën e galerisë Hospital me instalimin e 10 paletave të xhamit, një top pëlhure të njollosur, një tavolinë të madhe që mban portrete të artistit të krijuara nga shokët e tij si dhe katër piktura të vogla brenda një kthine të ndarë.

Xhamat nga dyer e dritare të dikurshme, tani një lëmsh teksturor i ngjyrave, janë të paqëllimshme por ekspresive, të mbështetura në mure, shtresimet dhe majat e tyre bartin gjurmët e historive të tyre. Edhe topi i pëlhurës ngjan si një relikë e boshllëkut prapa çdo misteri.

Nga mjeshtër dhe dishepuj, nga mësues dhe nxënës, portretet e artistit mbajnë etiketa muzeu. Aludojnë një periudhë dhe një komunitet të caktuar. Regjistrojnë një aspekt të veçantë të jetës së artistit dhe kontekstit më të gjerë historik.

Përpjekja e Agron Mulliqit për t’i rishkruar të paparemnduarat në peisazhe ekspresive, njëkohësisht e plotëson dhe përmbyllë Kabinetin e Imanencës. Në një aneks të larë me dritë të kuqe janë katër piktura tani të ndjeshëme ndaj fuqisë memece prapa çdo njohurie dhe kuptimi.

Ekspozita do të hapet në ora 19:30 në Hospital, një hapësirë e re ekspozuese në kryeqytet, 41 Rr Egnatia, Prishtina, 10K. ‘Kabineti i Imanencës’ do të qëndrojë e hapur deri me 29 gusht. / KultPlus.com

Të ngjajshme