I dyshuari për vjedhjen e muralit të Banskyt mund të dënohet me 12 vjet burgim

4 Janar, 2023 - 2:00 pm

Prokurorët në Ukrainë kanë njoftuar se personi i dyshuar për orkestrimin e heqjes së një murali të Banksyt në Hostomel – qytet i dëmtuar rëndë nga bombardimet ruse – mund të përballet me 12 vjet burgim nëse shpallet fajtor.

Vepra artistike, që përshkruan një grua që në fytyrë ka të vendosur një maskë kundër gazit dhe në dorë mban një pajisje për fikjen e zjarrit, u hoq nga një mur në qytetin Hostomel, në veriperëndim të kryeqytetit, Kiev, më 2 dhjetor, sipas zyrtarëve ukrainas.

Artisti britanik i rrugës, Banksy në nëntor ka krijuar shtatë murale në vende të ndryshme në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev. Ai ka hyrë në Ukrainë mes luftës së vazhdueshme të Rusisë atje.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha në se i dyshuari ishte i vetëdijshëm për vlerën e veprës dhe planifikoi ta shiste atë dhe t’i merrte fondet.

“Për ta bërë këtë, ai kërkoi ndihmën e njerëzve që nuk ishin në dijeni të qëllimeve të tij, të cilët i siguroi se i kishte të gjitha lejet e nevojshme për të çmontuar muralin”, thuhet në njoftim.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm vepra e artistit të njohur britanik vlerësohet në mbi 243.900 dollarë.

Banksy konsiderohet si një nga artistët më misterioz të kohës sonë. Është ende e paqartë se kush fshihet nën këtë pseudonim. Ai u bë i njohur në gjithë botën falë veprave të tij satirike të artit të rrugës dhe grafiteve. Veprat e tij kanë një ngjyrim të theksuar social-politik.

Veprat e reja janë muralet e para publike të Banksyt në më shumë se një vit, megjithëse kjo nuk është hera e parë që puna e tij lidhet me Ukrainën./REL / KultPlus.com

Të ngjajshme