“I soli di tutte le terre”, ekspozita e artistit italian Enzo Cuchi në COD

3 Qershor, 2025 - 5:00 pm

“I soli di tutte le terre” titullohet ekspozita e artistit Enzo Cuchi, e cila do të hapet më 6 qershor në Qendrën për Hapje dhe Dialog, COD.

Në këtë ekspozitë, Cuchi, një figurë kryesore e artit bashkëkohor ndërkombëtar në ekspozitën e tij të parë në Shqipëri, sjell një sërë veprash.

Në këto punime prezantohen fazat më të rëndësishme të karrierës së tij të gjatë, duke filluar me disa kryevepra të hershme, pjesë e një koleksioni të rëndësishëm privat, të tilla si Quadro santo (1980), Carro di fuoco (1981), Paesaggio barbaro (1983) dhe Il miracolo della neve (1986), të cilat nuk ishin ekspozuar së bashku prej shumë vitesh.

Vëmendje e veçantë i kushtohet marrëdhënies së Cucchi-t me krahinën e Marche-ve, një territor themelor i kërkimit të tij artistik, me një seksion që bashkon një seri pikturash të vogla kushtuar vendeve të ndryshme të një krahine që zotëron, sipas Cucchi-t, “të gjithë aktualitetin e një emocioni që është i nevojshëm për një artist”.

Pjesa e dytë e ekspozitës i kushtohet vizatimit, një shprehje e rëndësishme e mendimit të Cucchi-t me një përzgjedhje që dokumenton aktivitetin dhjetëvjeçar të artistit kushtuar vizatimit, të cilin ai e konsideron bazën e artit dhe marrëdhënies së tij me Marche-t, duke i mbushur fletët me elementë tipikë të peizazhit të krahinës.

“Kështu, arti i Cucchit mbërrin në Shqipëri, duke sjellë diellin, selvitë, tokën, fushat dhe kodrat e Marche-ve, për të ndarë diejt mesdhetarë, të cilët ngrohin tokën dhe bashkojnë dy brigjet e Adriatikut, të cilin Predrag Matvejević e përcaktoi si “deti i intimitetit”, nën shenjën e pikturës”, shpjegojnë kuratorët e Spazio Taverna-s.

I konsideruar si artisti më vizionar midis eksponentëve të Transavanguardia-s, Enzo Cucchi (Morro d’Alba, 1949), që nga vitet 1980, ka fituar famë ndërkombëtare. Ai ka ekspozuar në hapësirat më të rëndësishme ekspozuese italiane dhe të huaja, si Kunsthalle në Bazel, Solomon R. Guggenheim në Nju Jork, Tate Gallery në Londër, Centre Georges Pompidou në Paris, Castello di Rivoli, Rivoli (Torino), Palazzo Reale në Milano, Muzeu i Artit Sezon në Tokio, Akademia Franceze në Romë – Villa Medici, Musèe d’art modern në Saint-Etienne Metropole dhe MAXXI.

Ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke përfshirë Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Documenta në Kassel dhe Kuadrienalen e Romës.

Veprat e tij gjenden në koleksionet kryesore të muzeve të botës dhe në koleksionet private më prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 5 korrik./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme