Ikona “Shën Gjergji”, vepër e Sofia Zengos e pikturuar në 1941

13 Nëntor, 2021 - 3:45 pm

Ikona “Shën Gjergji” sipas firmës që mban në krahun e djathtë është vepër e Sofia Zengos, njëra prej katër vajzave të ikonografit të njohur dardhar Vangjel Zengos, e cila vazhdoi rrugën e të atit.

Kjo artiste përfundoi studimet në vitin 1941 në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë. Prej saj ruhen vepra të shumta në GKA Tiranë, në MKAM Korçë , në Galerinë “G.Madhi” Korçë dhe koleksione private.

Ikona është pikturuar në vitin 1941 me kontributin e Gaqo Naum Stathit. Kulti i Shën Gjergjit duke vrarë dragoin është mjaft i përhapur në Lindjen Ortodokse. Shën Gjergji respektohet si një nga martirët më të mëdhenj të krishtërimit, si rrjedhoje ikona e tij është nga më populloret.

Në këndvështrimin ikonografik ajo ilustron një skenë nga jeta e shenjtit, momentin kur ai vret dragoin e tmerrshëm. Si ushtar në shërbimin e Perandorit Dioklecian ai u ngrit në rangun e strategut dhe u martirizua po me urdhrin e tij.

Kjo temë është nga më të lëvruarat në pikturën pasbizantine dhe paraqet aktin heroik të vrasjes të dragoit. Ajo bazohet në një legjendë të shek.V në Libi. Dragoi adhurohej si hyjni nga paganët e atjeshëm. Ata e zbusnin duke i dhënë fëmijët e tyre. Kur ishte radha e vajzës të mbretit u shfaq Shën Gjergji mbi kalin e bardhë , e goditi atë me shtizë duke e mbërthyer në tokë. Çlirimi nga dragoi simbolizon çlirimin nga paganizmi.

Në këtë ikonë episodi paraqitet në mënyrë të reduktuar vetëm me elementët kryesorë. Shenjti këtu paraqitet në aktin final kur i ngul shtizën dragoit të tmerrshëm. Figura e tij veshur me pancir dhe pelerine të kuqe dominon kompozimin. Kali i bardhë është ngritur në dy këmbët triumfues mbi dragoin e shtrirë në këmbët e tij ndërsa Elisabeta në cepin e djathtë ndjek në ankth skenën.

Në modelimin e figurave dhe të peizazhit Sofia Zengo vazhdon në gjurmët e të atit në traditën e Malit të Shenjtë të fund-shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Vëllimet janë të plota, modelimi realist dhe skena pikturohet në mënyrë natyraliste. Në krahun e djathtë pranë kështjellës që rrethohet nga bimësia e dendur shihen disa qiparisa ndërsa në të majtë një pemë e madhe. Elementët florealë të pikturuar këtu duket se nuk kanë ndonjë ngarkesë simbolike. Ato janë thjesht pjesë e peizazhit në të cilin po ndodh ngjarja. / KultPlus.com

Të ngjajshme