Imazhe paradoksale dhe surreale u prezantuan ne ekspozitën e Galerisë “Qahili”

17 Maj, 2019 - 1:13 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Galerinë Qahili është hapur një ekspozitë e pazakonshme me një mesazh të pazakonshëm. Ekspozita “Unusual Message”, e kuruar rreth disa elementeve mjaft interesante si  huti, libri, gjethet e ullirit, kafka e deles, veza, shenja @, korbi, kanaqja, kapsja e letrave dhe retë, bëri së bashku 72 artistë ë cilët janë njëkohësisht profesorë të 12 universiteteve të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila erdhi si iniciative e Universitetit të Qipros, saktësisht Departamentit të Artit, përmes krijimeve të artistëve solli disa imazhe paradoksale dhe surreale. Elemente të jetës së përditshme përmes kësaj ekspozite arritën që të kthehen në diçka artistike duke rrëfyer tema aktuale, ikonografi religjioze, natyrën dhe humorin. Nita Qahili nga Galeria Qahili, tregoi se artistët pjesëmarrës e që janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kina, Qipro, Franca, Irani, Korea, Meksika, Polonia, Rumania, Turqia, Amerika dhe Kosova tregojnë ngjarje me anë të dy perceptimeve dhe interpretimeve të ndryshme.

“Është një projekt i cili që dy vite e më shumë është në proces e sipër,  dhe tashmë vetëm ja ka fillu që vendet pjesëmarrëse me i ekspozu punimet nëpër vende të tyre. Ndërsa ajo që e bënë me të veçantë këtë ekspozitë është koncepti, pasi që është një ekspozitë satirike ku artistët është dashur që në bazë të disa elementeve të krijojnë art. Këto elemente i bëjnë së bashku të gjithë artistët, por në anën tjetër secili e tregon identitetin e vet, punën dhe vlerat artistike që secili prej tyre i ka”, theksoi Qahili për KultPlus.

Artistët pjesëmarrës nga Kosova në këtë ekspozitë ishin: Bardhyl Bejtullahu, Mehmet Behluli, Eliza Hoxha, Mirsad Lushtaku, Visar Mulliqi dhe Eshref Qahili. Kritiku i artit Komuran Goranci vlerësoi këtë ekspozitë pikërisht për konceptin e saj të cilin ai e konsideroi modern dhe aspak klasik.

“Kjo ekspozitë ka një koncept të saj e që përbëhet prej mesazheve të ndryshme të artistëve mësimdhënës të universiteteve të ndryshme të cilët kanë pasur një temë të caktuar. Artistët kanë sjellë mesazhe secili në formën e vet, sipas mënyrës dhe jetesës apo një realitet të kohës në të cilën jetojmë ne bashkërisht. Prandaj si një koncept i ri, modern, një mesazh jo klasik dhe mjaft domethënës është një ekspozitë mjaft e qëlluar që sjellë një prurje të re dhe koncept të ri e që mund të na shërbejë edhe neve në të ardhmen”, tha ai.

Bardhyl Bejtullahu i cili ishte pjesëmarrës në ekspozitë ku u paraqit me dy punime sqaroi më shumë për KultPlus rreth elementeve të cilat ishin në fokus të kësaj ekspozite,  por edhe të veprave të tij. Njëri punim i Bejtullahut si element kryesor kishte kafkën e dashit ndërsa tjetri degët e ullinjve.

“Motivet apo elementet kanë qenë te caktuara për këtë ekspozitë dhe përmes tyre me paraqit në mënyrë satirike me paraqit një ngjarje apo aktualitet. Ka pasur disa elemente si koka e deles apo dashit, veza, ulliri, shenja @ (bota digjitale) e disa të tjera. Unë kam zgjedhur me marrë pjesë me kafkat e dashit dhe me ullinjtë”, tha ai për KultPlus.

Kjo ekspozitë u mbështet nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës dhe Komuna e Prishtinës./KultPlus.com

Të ngjajshme