Jeta paralele e Maks Velos

7 Maj, 2021 - 11:30 am

 

Maks Velo u lind në Paris, në vitin 1935, në familjen e Sotirit, mjek të diplomuar në Athinë dhe të specializuar si okulist në Francë, dhe Ani Poros – vajzës së një emigranti nga Dardha e Korçës. Kur ishte pesë vjeç, familja e tij u kthye në Korçë, ku Maksi kreu studimet deri në vitin e dytë gjimnaz.

Me 7 maj të 2020, Velo shuhet në banesën e tij në Tiranë.

Në Korçë ka qenë nxënës i piktorit Vangjush Mio. Në vitin 1952, familja është zhvendosur në Tiranë, ku Maksi ka përfunduar dhe studimet e larta në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit – Arkitekturës

Edhe pse me profesion arkitekt, piktura ka qenë një pasion, të cilin Maksi e ushtronte rregullisht, i tërhequr nga rryma impresioniste, ekspresioniste dhe surrealiste. Këto prirje në pikturë dhe qëndrimi kundër doktrinës socialiste në art dhe politikë, sollën dërgimin e tij në disa fshatra derisa e arrestuan në vitin 1978, kur ishte 43 vjeç. Dy vite më parë ai ishte ndarë nga bashkëshortja, me të cilën ka një djalë. Ish-bashkëshortja dëshmoi kundër Maksit për qëndrimet e tij moderniste në pikturë. U akuzua për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Shumë nga pikturat dhe objektet artistike që iu gjetën në shtëpi (249), u shkatërruan me urdhër të Gjykatës. U lirua me amnisti para mbushjes së afatit të dënimit, në vitin 1986.

Në vitet 1990, Maks Velo ka botuar një varg librash me tregime dhe skica rreth kohës së burgut, si dhe një koleksion të madh pikturash.

Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Historia e jetës së Maks Velos është ndoshta një simbol se si funksiononte komunizmi duke shkatërruar shoqërinë deri në bërthamën më të fortë e të shenjtë, atë të familjes.

I denoncuar nga ish-gruaja dhe miqtë e tij ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial.

Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90 ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10 vjeçar.

Shumë vite më vonë ai do të lexonte dhe dëshminë e njeriut më të afërt të tij që e çoi drejt arrestimit.

Cikël i ri i piktorit Maks Velo. Përshtypjet lirike për Parisin

Ky është një cikël i ri i piktorit Maks Velo me përshtypjet lirike për Parisin, vendlindjen e tij. Pa u kujdesur shumë për detajin, por duke dhënë gjendje të tij të çastit, ai na shpalos emocionin e qytetit më romantik të botës. Duket se adhurimi për këtë qytet e bën më të çlirët, por nga ana tjetër e nguc të shpalosë me forcën e materialit të vizatimit atë që e ngërthen brenda dhe e mban kaq të lidhur me qytetin e madh… / KultPlus.com

Të ngjajshme