Katër artistë të njohur, në garë për drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve

19 Tetor, 2017 - 8:05 pm

Katër artistë të njohur kanë kandidatura për postin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kandidimi i tyre u bë, pasi Ministria e Kulturës shpalli më 3 tetor konkursin për drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve, pas mbarimit të mandatit katërvjeçar të drejtorit aktual Artan Shabani.

Artan Shabani ka zgjedhur të mos rikandidojë sërish në postin drejtues. Ndërsa kandidatët për drejtor janë: Helidon Haliti, Kreshnik Xhiku, Erzen Shkololli dhe Artur Çela. Afati për aplikim është mbyllur më 16 tetor, ndërsa shihet se kandidatët që garojnë për drejtorin e Galerisë Kombëtare kanë një karrierë të pasur artistike.

Helidon Haliti, është një nga piktorët më të talentuar të pas viteve ’90. Së fundmi ka qenë organizator i Bienales së Akuarelit në Tiranë.

Kandidati tjetër Kreshnik Xhiku, skulptor ka drejtuar fakultetin e Arteve Pamore për disa vite dhe ka qenë edhe dekan i Universitetit të Arteve në vitet ‘96. Njihet si autor i disa veprave monumentale.

Ndërsa Erzen Shkololli, artisti kosovar është bërë i njohur si autor e kurator i ekspozitave dhe bienaleve ndërkombëtare.
Artur Çela ka qenë skulptor që ka emigruar prej vitesh ne Itali dhe është rikthyer në Shqipëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme