Kina në luftë me epitetin si kryeqendra e artit të kopjuar

20 Dhjetor, 2018 - 9:00 am

Duart e Ma Chunyan duket se mbajnë vorbullën e vizionit të ëndrrave të qiellit të natës, pikturën ikonike “Nata me yje” të piktorit Vincent Van Gogh. Por në fakt artistja 32-vjeçare kineze mban reproduksionin prej 130 eurosh të cilën e ke realizuar për një ditë duke u bazuar nga fotografia prej telefonit të saj, e jo kryeveprën 100 milionë dollarësh.

Ma është një prej 8 mijë piktorëve që bëjnë kopje të artit perëndimor në Dafne, një distrik i vogël por i dendur në pjesën jugore të Kinës, në qytetin e Shenzhen, i cili është afër Hong-Kongut.

Dikur një fshat i panjohur me 300 kultivues të orizit, Dafne është bërë një prej qendrave të reproduktimeve të pikturave brenda pak vjetësh pasi që ish -lideri kinez Deng Xiaoping hapi ekonominë e Kinës në vitin 1978. Qyteti dikur përbënte 75 për qind të veprave të reprodukuara, vaj në pëlhurë.

Dafne ka 1 mijë e 200 galeri dhe biznese të artit, dhe ka të punësuar 20 mijë njerëz. Prodhimi arriti deri në 4.15 bilionë yuanë (530 milionë euro) në vitin 2017.

Por, derisa Kina feston 40-vjetorin e hapjes ekonomike, Dafne peshon pasurinë e saj, e cila është zbehur që nga viti 2008 për shkak të krizës ekonomike globale kur kërkesat nga jashtë për vepra të reprodukuara ranë dhe asnjëherë nuk u ringjallën.

Zbehja e kërkesave ka nxitur qeverinë lokale të nisë një plan të ri për të transformuar Dafnen në një prodhuese të veprave origjinale.

Megjithatë, suksesi mbetet i pakapshëm midis kërkesës për artin origjinal të Dafnes dhe artistëve të cilët janë të interesuar për këtë.

Për të tërhequr artistë, Dafne ka investuar 100 milionë yuanë në një muze të artit dhe ka ndërtuar 268 apartamente për të akomoduar piktorët të cilët jetojnë aty. Qyteti tani ka 300 artistë që punojnë dhe janë të fokusuar në vepra origjinale të artit.

Sidoqoftë, Chen Jingyang, një artist i cili ka qenë në Dafne për 12 vjet, nuk është shumë optimist për të ardhmen.

“Blerësit e mëdhenj e dinë se tregu këtu ka qenë i famshëm për kopje, dhe ky treg më nuk funksionon ashtu. Kështu këtu s’ka interesim për pikturat origjinale”, ka thënë Chen/Reuters./koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme