Koleksioni fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles i dhurohet Muzeut Kombëtar ‘Marubi’

13 Maj, 2022 - 6:40 pm

Koleksioni fotografik i Safet dhe Gjylzade Dokles tashmë do të jetë pjesë e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Në ceremoninë e dhurimit të koleksionit fotografik, ishin të pranishëm familjarë të Safet dhe Gjylzade Dokles, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtues të Muzeut Kombëtar të Fotografisë, “Marubi”, dashamirës etj.Aktiviteti fotografik i Safet e Gjylzade Dokles i zhvilluar në Borje të Shishtavecit të rrethit të Kukësit shtrihet nga vitet ’30 deri në vitet ’70.

Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore. Ky koleksion është më i madhi i dhuruar ndonjëherë mbas ’90 Fototekës Marubi, i cili përbëhet nga 19.548 negativë, 31 albume me fotografi dhe 33 objekte të laboratorit fotografik.

Në vijim të përmbushjes së misionit të tij, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka bashkëpunuar prej disa muajsh me Ramadan Doklen, trashëgimtar i koleksionit fotografik të prindërve të tij Safet dhe Gjylzade Dokle, me qëllim dhurimin e këtij koleksioni.Në vazhdën e misionit për të shpëtuar koleksionet fotografike të dëmtuara apo që ruhen në kushte të papërshtatshme në Shqipëri, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë disa nisma të shpëtimit të koleksioneve fotografike, si në rastin e koleksionit të Osman dhe Mehmet Kallfës në 2015 dhe të fotografit Pirro Mosit në 2016./ KultPlus.com

Të ngjajshme