Koleksionohen më shumë se 800 murale dedikuar George Floyd-it

12 Prill, 2021 - 1:01 pm

Një grua po ruan muralet e realizuara që janë vendosur në Twin Cities, regjion në Minnesota të SHBA-së pas vdekjes së George Floyd, vitin e kaluar.

Më shumë se 800 punime tani janë duke u ruajtur në depo. Leesa Kelly me “Save the Bords to Memorialize the Movement” (Ruani punimet për të përkujtuar Lëvizjen) dëshironte të ruante punime e bëra në kompensatë e që ishin vendosur nëpër biznese në regjionin Twin Cities.

“Thjesht më ishte thyer zemra dhe isha duke përjetuar shumë trauma dhe më duhej të bëja diçka”, ka shpjeguar ajo, transmeton KultPlus.

Murale që kapin emocionet e një komuniteti gjatë dhembjes për vdekjen e Floydit.

“E gjitha nisi kur muralet filluan të flisnin me mua”, ka thënë Kelly. “Kisha një ndjesi të veçantë emocionale kurdo që kaloja me makinë dhe i shihja në ndërtesa dhe unë thjesht pyesja veten se çfarë do të ndodhte me to pasi që do të hiqeshin”, ka thënë ajo.

Në vend që të kalonte para tyre, Kelly shkonte nga biznesi në biznes duke u kërkuar leje për të ruajtur muralet.

“Kur shikoni përreth kësaj dhome dhe shihni muralet e realizuara në kompensatë, ju merrni historinë e plotë të asaj që ka ndodhur me të vërtetë”.

Ndërsa Kelly thotë se ky është një projekt i pafund, ajo e sheh këtë si një punë dashurie që do të ruajë këtë moment në histori edhe në vitet që vijnë pas.

“Është si një lloj transportimi i njerëzve përsëri në verën e vitit 2020 dhe duke kujtuar kryengritjen, duke kujtuar ato ndjenjat e vështira me të cilat ne të gjithë duhet të pajtoheshim dhe t’i procesonin, në mënyrë që të mos shohim diçka të tillë duke ndodhur përsëri”, ka thënë ajo.

Vdekja e Floydit, gjatë majit të vitit të kaluar, bashkë me xhirimin e këtij afro-amerikani që thoshte se nuk po mundet të marrë frymë dhe kalimtarëve që i bërtisnin me zemërim policit të bardhë që ta lëshonte, kishin nxitur protesta në gjithë botën. Videoja, që sipas prokurorëve dëshmon përdorimin e tepërt të forcës, kishte tmerruar njerëzit në tërë botën dhe kishte qenë sebep për njërën prej lëvizjeve më të mëdha protestuese në SHBA të dekadave të fundit. Shumica i janë referuar vdekjes së Floydit si shembull brutaliteti që përdoret në mënyrë rutinore nga policët amerikanë ndaj njerëzve me ngjyrë.

Derek Chauvini, polici 45-vjeçar, i cili menjëherë pas rastit është shkarkuar nga detyra, përballet me akuza për vrasje dhe vrasje pa paramendim dhe mund të dënohet deri në 40 vjet burgim. Kurse tre policët e tjerë të pranishëm në incident do të gjykohen po ashtu gjatë këtij viti. /news4sa/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme