Kolonia e piktorëve “Ditët e Mios” nis rrugëtimin e përvitshëm

26 Tetor, 2022 - 1:53 pm

Në Shtëpinë Muze të piktorit Vangjush Mio u zhvillua ceremonia e çeljes së Kolonisë Ndërkombëtare të Pikturës “Ditët e Mios” 2022.

Artistë nga Italia, Greqia, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Polonia si dhe artistë korçarë do të jenë këtë vit pjesë e kolonisë, duke hedhur në telajot e tyre magjinë e vjeshtës në Korçë dhe rrethinat e saj.

Si çdo vit një nga veprat e tyre realizuar gjatë ditëve të kolonisë do i dhurohet Galerisë së Artit “Guri Madhi”, në Korçë.

Kolonia “Ditët e Mios” do të vazhdojë deri më datë 28 tetor. Ky aktivitet është bërë traditë tashmë. Që prej vitit 2007, cdo fund tetori, në Korçë, zhvillohet kjo mbledhje artistësh nga vende të ndryshme, në nder të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, emrin e të cilit e mban edhe Qendra kulturore e Korçës. Ditën e fundit të Kolonisë, zhvillohet ekspozita me punimet e të gjithë piktorëve pjesëmarrës.

Vangjush Mio njihet si impresionisti i parë në Shqipëri. Peizazhet e tij, të frymëzuara nga Korça e Pogradeci, janë vlerësuar maksimalisht nga kritika. Njëkohësisht ai ka qenë brilant edhe në realizimin e portreteve si dhe në skenografitë e kryera për teatrin e Korçës. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme