Komunikimi, lëvizja, arti e imagjinata erdhën në jetë në ekspozitën “Komploti i Tiranës”

13 Maj, 2022 - 6:11 pm

Uranik Emini

Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artisti Ardian Isufi hapi ekspozitën e tij “Komploti i Tiranës”, e cila në thelb kishte interaktivitetin, pra komunikim me publikun dhe lënien e këtij të fundit të elaborojnë imagjinatën e tyre deri në kufijtë e fundit për të arritur në një përfundim, konkretisht për të gjetur një përgjigjje, shkruan KultPlus.

Koha po afronte, muzika po fillonte dhe njerëzit po mblidheshin për të parë nga afër punën e artistit Ardian Isufi dhe ekspozitën e tij “Komploti i Tiranës”, të kuruar nga: Geatano Centrone, Vladimir Myrtezai-Grosha, Elton Koritari. 

I pari që bëri hapjen e kësaj ekspozite ishte pikërisht drejtori i Galerisë, Naim Spahiu.

“Kjo është ekspozita e parë personale e Ardian Isufit në Galerinë Kombëtare të Kosovës, derisa kjo ekspozitë gjithashtu ka edhe tre kuratorë të cilët do të bëjnë edhe prezantimin e tyre”.

Spahiu gjithashtu ka thënë për KultPlus se puna e madhe që është bërë në Galeri, patjetërsisht e ka edhe rezultatin e saj.

Pastaj, për një fjalim rasti u ftua edhe kuratori nga Italia, Geatano Centrone.

“Isufi ka koherencë në punën e tij, është i besueshëm dhe e mbulon mirë skenën sikurse në koncept po edhe në atë të tradicionales së artit. Ajo çfarë është më e rëndësishmja, Isufi i flet komunitetit, flet për komunitetin më shumë sesa për vetveten nëpërmjet artit të tij”.

Centrone shtoi edhe pjesën se Isufi është një artist që e vë në mënyrë të shkëlqyeshme marrëdhënien sociale me publikun.

“Ai e njeh shumë mirë dhe e përzinë filmin mes politikës dhe publikut, duke u bërë pjesë e atij grupi social e asnjëherë nuk pretendon të jap përgjigjje, po vetëm shton shumë pyetje”.

Sipas radhës, Vladimir Myrtezai-Grosha, tregon se lidhshmëria mes këtyre tre kuratorëve është historia.

“Isufi ka një hapësirë të plotë për të shprehur dhe për ta na servirur atë parehatinë e një artisti”, tha ai mes tjerash.

Më pas, edhe Elton Koritari, i cili fillimisht përktheu nga italishtja në shqip, nuk e zgjati shumë rreth aspektet e ekspozitës.

“Ky është bashkëpunimi i dytë i rëndësishëm me këtë Galeri, të cilën e kam shumë për zemër. Bashkëpunimi im me Kosovën po vazhdon vit pas viti. Çdo dy vite po mendoj për të ardhmen dhe se si mund të prezantohemi më mirë. Duam ta falënderojmë Kosovën”, u shpreh Koritari.

Artisti Ardian Isufi deklaroi se komploti më i madh ka qenë mes tij dhe kuratorëve, e githë bashkëpunëtorëve të tjerë.

“Komploti në aspektin intelegjentë të fjalës, për shkak të komunikimit, i cili ka ngjizur këtë ekspozitë, e cila është e ndarë nëpër disa pjesë, pavijone, ku edhe ka vepra që i kam ekspozuar edhe më parë, duke mos lënë anash edhe veprat e reja që janë bërë vetëm për këtë ekspozitë”.

Artisti vlerëson frymën për t’i dhënë një karakter dhe kontribut kulturës në përgjithësi, me ‘ç’rast është frymëzuar për të punuar edhe më shumë.

Të tre kuratorët, të udhëhequr nga Ardian Isufi, falënderuan përzemërsisht Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe bashkëpunimin me ta.

Ndërkaq, artistja Eliza Hoxha, në një prononcim për KultPlu dha përshtypjet e veta mbi këtë ekspozitë.

“Punën e Ardianit e njoh prej më herët dhe ajo çka më pëlqen mund të ndahet në disa pika. Fillimisht, më pëlqen që ai zakonisht me punën e tij i shqyrton fenomenet por e lë publikun ta kuptojë fenomenin duke bërë pyetje, ku gjithësecili mund ta kuptojë vetë veprën. Një vepër arti mund të jetë fluide në kuptimin e plotësimit, ndryshimit, ashtu siç është jeta jonë sot”.

Tute ajo thotë se i ka lënë përshtypje shumë pjesa se si ai përdor jashtëzakonisht shumë situata reale.

“E treta është se ai përdor produkte sikurse sateliti, të cilin e përdori edhe unë, e që nuk është produkt as i imi e as i Ardit, po e përdor si mjet i cili është krejtësisht për diçka tjetër, duke ia dhënë një kuptim të ri”.

E pyetur mbi pjesën se si e vlerëson bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës, Eliza Hoxha thotë për KultPlus se ekziston kalendari formal kulturor, e duhet të jetë në kuptim më të gjërë.

“Është një dimension formal, i atij kalendarit kulturor që bëhet zakonisht, jo në kuptimin negativ të fjalës, por që duhet të jetë në kuptim më të gjërë në aspektin përmbajtësor që të përfshijë më shumë njerëz. Dhe më pas, mënyra se si përcaktohen njerëzit ose ekspozitat, nuk e di nëse ka ndonjë kriterë apo proces, nuk dua të flas pasi nuk e di. Ndërkaq, te bashkëpunimet që bëhen në tjera relata, në punën që e njeh të dikujt, suksesin që e ka dikush, pastaj ka ftesë e konkurim në konkurs të hapur etj, shumica e ekspozitave që janë bërë në mënyrë të tillë, kanë rezultuar gjithnjë më pozitive”.

Revolta e Isufit për shëmtinë urbane, dramën ligjore dhe plagën artistike ndërthurën edhe një herë imagjinatën dhe artin, të cilat së bashku sipërfaqën, në rastin tonë, në mënyrën më të mirë të mundshme realitetin.

“Komploti i Tiranës” do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme