“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar”, ekspozita e rrallë dokumentare dhe fotografike në Tiranë

17 Shkurt, 2021 - 3:55 pm

Përmes një ekspozite të rrallë dokumentare dhe fotografike, është shënuar në Tiranë 13- vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

Një ngjarje me rëndësi për Kosovën si shtet i pavarur e që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, zgjodhën ta kujtojë në Kalanë e Tiranës, këtë ditë historike për shtetin e dytë shqiptar në Europë.

Bedri Zyberaj, kryeshef i Arkivave të Kosovës theksoi rëndësinë e një tubimi të tillë, i cili një vit më parë u mbajt në Prishtinë.

“Kjo është data më e rëndësishme e historisë së re të shqiptarëve. Arkivat janë institucionet që kujdesen dhe ruajnë kujtesën dhe trashëgiminë e çdo kombi. Dhe për fat të mirë edhe arkivat tona janë kujdesur dhe ruajnë përmes instrumenteve bashkëkohore. E përpiqen që përmes këtyre ekspozitave, t’i sjellin ato tek shqiptarët”.

Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani tha se “dokumentet e kësaj ekspozite tregojnë rëndësinë dhe pranië e Kosovës prej vitit 1912 e më pas në Shqipëri dhe ndjehem mirë që ato ekspozohen në këtë 13 – vjetor të pavarësisë”.

Elsa Saka, Drejtore e Komunikimit në DPA, tha se “ne synojmë që kjo ekspozitë të jetë shëtitëse dhe çdo 17 shkurt të çelet në një qytet tjetër të Shqipërisë pas Prishtinës dhe Tiranës”.

Klodiana Toptani, administratore e Kalasë tha se “për ne, Dita e Pavarësisë së Kosovës ka rëndësi të madhe ndaj edhe e festojmë sot në Kala, ku valvitet edhe flamuri i shtetit të Kosovës”.

Materialet që janë paraqitur në ekspozitë janë nga periudha e vitit 1912, në të janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komunitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme