Krijoi mozaikun e Bllacës por nuk e nderuan, Kabashi: Më injoruan organizatorët, nuk më prezantuan si autor të mozaikut

12 Prill, 2021 - 10:56 am

Suada Qorraj

Interesimin për artin e kishte pasur qysh fëmijë e për të ndërtuar rrugën e tij drejt suksesit kishte filluar që prej kohës kur ishte nxënës, për ta vazhduar më pas edhe në studime. Teksa sot gëzon një numër të madh të ekspozitave të mbajtura, çmimeve të fituara, e mozaikëve të krijuara, ishte pikërisht mozaiku i ‘Murit të kujtesës’ për të cilin Fatos Kabashi punoi me ditë të tëra që mori jehonën më të madhe, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus artisti Fatos Kabashi ka treguar se mozaikun e nënës Sherife me vajzën e saj Besianën e kishte filluar që në tetor të vitit të kaluar, për ta përfunduar gjashtë muaj më pas, në marsin e këtij viti.

“Mozaikun e nënës shqiptare Sherife Lutës me vajzën e saj Besianën e kam filluar ta punoj më 15 tetor të vitit 2020 dhe e kam përfunduar më 20 mars të vitit 2021, më ka marrë afërsisht 6 muaj. Projektuesit e murit të kujtesës me të cilët edhe kam bashkëpunuar janë Jahja Lluka dhe Luan Tashi”, pohon Kabashi.

Për artistin Kabashi punimi i një mozaiku të tillë ishte përcjellur vazhdimisht me emocione të mëdha sepse gjatë tërë kohës ai kishte në mendje se si refugjatët shqiptarë kishin kaluar përgjatë kufirit pa bukë e ujë, por mbi të gjitha edhe të maltretuar. Ai shton se herë pas herë edhe ka qajtur gjatë punës ngase si fëmijë edhe vetë e kishte përjetuar luftën.

“Tek mozaiku i nënës shqiptare me vajzën e saj të vuajtur dhe të atyre refugjatëve që shihen në prapavijë, gjatë gjithë kohës që kam punuar kam ndjerë emocion të veçantë, por edhe dhimbje sepse çdo herë më ka shkuar mendja se si kanë kaluar mbi 400 mijë civil shqiptarë gjatë këtij kufiri pa bukë, pa ujë e të maltretuar nga paramilitarët serb. Për mua ka qenë shumë e ndjeshme dhe herë pas here kam qajtë sepse edhe vetë si fëmijë 12 vjeçar e kam përjetuar luftën në Kosovë dhe mbaj në mend se si kemi vuajtur”, rrëfen për KultPlus artisti.

Tutje ai tregon edhe për përbërjen e materialeve që janë përdorur për realizimin e këtij mozaiku duke theksuar se krahas gurëve natyral të prerë në formën e duhur, janë përdorur edhe rrjetat, ngjitësit dhe elemente të tjera që e bëjnë një mozaik të qëndrueshëm edhe në ambientet e jashtme. Ai krahas kësaj shton se për punimin e mozaikut duhet një përkushtim detajist në mënyrë që të arrihet synimi.

Përurimi i ‘Murit të kujtesës’ në të cilën gjendet mozaiku i punuar nga Fatos Kabashi është bërë të shtunën e javës që lamë pas, organizim ky për të cilin artisti thekson se është ndjerë tejet i dëshpëruar, pasi, siç është shprehur tutje ai për KultPlus, të pranishmit nuk patën mundësi që të njohin dhe të dijnë se kush ishte krijuesi i atij mozaiku, sepse këtij të fundit nuk ju dha mundësia që të dalë para publikut.

“Aq sa kam qenë i lumtur që kam qenë i pranishëm po ashtu jam ndarë shumë i dëshpëruar nga organizimi jo i mirë. Të gjithë mysafirët e ftuar e të paftuar, gazetarë, media e fotografë nuk e patën mundësinë ta njohin krijuesin e këtij mozaiku. Mua nuk m’u dha mundësia të dal para publikut t’i përshendes dhe ti them dy – tre fjalë. Aty u ndanë shumë mirënjohje për punët që i kanë bërë, kurse arsyeja kryesore pse edhe ishin mbledhur aty ishte mozaiku, por mua as mirënjohje nuk më është ndarë. Nuk dua ta fajsoj askënd mirëpo kjo është një mosmirënjohje për punën dhe mundin që kam bërë”, rrëfen Kabashi kur pyetet se si është ndjerë në ditën e përurimit të ‘Murit të kujtesës’.

Por, mbi të gjitha, Kabashi nuk harron të përmend faktin se prezenca e protagonisteve të mozaikut, Sherife Lutës dhe vajzës së saj Besianës e ka bërë atë të ndjehet shumë mirë sepse që të dyja ishin të kënaqura me punën e tij.

Mozaiku i ‘Murit të Kujtesës’ nuk është ndër sukseset e vetme të artistit Fatos Kabashi, ai deri më sot ka marrë çmimin ‘Muslim Mulliqi’ dhe çmimin ‘Fytyra Universale’. Krahas kësaj numëron pesë ekspozita personale të mbajtura deri më sot.

Kabashi kryesisht ka zgjedhur të fokusohet në krijimin e mozaikëve sepse është ndër teknikat që i ka pëlqyer më së shumti dhe njëkohësisht është mishëruar me të. Ai deri më sot ka punuar 164 mozaike të ndryshme./ KultPlus.com

Të ngjajshme