займ на карту онлайн потребительский кредит

Kristaq Pavli sjellë ngjyrat e Vunos përmes pikturave në South Outdoor Festival (FOTO)

29 Prill, 2018 - 9:34 am

Gili Hoxhaj

South Outdoor Festiaval e ka shndërruar fshatin Vuno në një vend të aktiviteteve të ndryshme ku turistë të huaj e shqiptarë po përjetojnë aventurat më të mira. Aktivitetet të ndryshme sportive e kulturore u dhurojnë të pranishmëve kënaqësi të dyfishtë, krahas pamjes së këtij fshati të Himarës.

Në pjesën e poshtme të këtij fshati sheh jo dhe pak tenda që dëshmojnë për një numër të madh vizitorësh. Freskia nga të gjitha anët, e interaktiviteti i vazhdueshëm po i mban njerëzit pranë këtij festivali i cili në çdo kohë ka diçka për të ofruar. Në Vuno është vendosur një ndërtesë e gurtë, e cila kulm të vetëm e ka qiellin. Ajo duket sikur e zbrazët por ata që ia mësyjnë brendisë takohen me jo dhe pak punime që janë varur aty, aty ata përmes pikturave gjejnë pjesën më të bukur të kësaj zone, mbi kalldrëmet, shtëpitë e vogla e rrugicat.

Për ata që tashmë i kanë ecur rrugët e këtij fshati, pamjet e disa pikturave aty nuk janë dhe të panjohura. Kristaq Pavli është një piktor që kurrë nuk është ndarë se inspiruari nga vendlindja e tij, pamjes e së cilës po ua sillte vizitorëve edhe përmes pikturave. Ngjyra të ndezura të natyrës, e pamja e detit të kësaj anë janë karakteristike e punimeve të tij. Ata që tashmë po magjepsen me arkitekturën unike të këtij fshati, pamjen e tij mund ta marrin me vete përmes pikturave të Pavlit që janë në shitje.

Studimet e tij nuk lidhen me artin por kjo nuk i kishte ndikuar që ai të mos ta vazhdonte pasionin e tij. Ai tregoi për KultPlus nuk kishte pasur mundësi të vazhdonte Institutin e Arteve por më pas ishte shpërngulur për në Korfuz të Greqisë, atje ku kishte bërë punë të rëndomta fizike, ndërsa dikush nga të pranishmit e kishte kuptuar talentin e tij që e kishte marr me vete dhe në Greqi. Ata që e kishin takuar i kishin sugjeruar që të marr rrugën për në Athinë pasi që kjo ishte mënyra ideale që talenti i tij të përplaset në piktura.

“Atje hapa ekspozitën në një galeri shumë serioze, galeri në një lagje pasanikësh dhe aty fillova të më hynte vetja në qejf dhe fillova të seleksionoja klientët dhe të mos bëja më punë të rëndomta por merresha me piktura morale”, tregoi Kristaq Pavli.
Kur kishte dëgjuar për South Outdoor Festival që do të zbarkonte në Vuno, atë e kishte kapluar një ndjenjë gëzimi që përmes saj do të promovohej fshati i tij. Bukuria e këtij fshati ka kohë që kishte zënë vend në pikturat e tij e të cilat në formë të ngjashme i vendos edhe në shtëpinë e tij.

“Impresion Jonian”, mban emrin ekspozita e fundit që ai e kishte hapur pasi që shumica e pikturave përfshinin bregdetin e Vlorës.

Brenda kësaj hapësire të veçantë ekspozuese krahas shumë vizitorëve, aty takoje edhe Reil Hoxhën, drejtor artistik i South Outdoor Festival. Ai tha se përkundër aktiviteteve të shumta në kuadër të këtij festivali, ai përmban edhe befasi shumë të bukura, siç është kjo ekspozitë.
“Krahas gjithë organizimit është shumë e mirë të kesh edhe një kënd poetik, edhe një kënd intim i cili të transporton më tutje se organizimi i zakonshëm. Aktivitete të ndryshme bëhen bashkë për të rikthyer dytë e botës në këto vende të vogla që janë si perla të vogla në mes Shqipërisë”, tregoi ai, duke u shprehur se këtë vend që e quan si një perlë të Shqipërisë, e ka ngurtësuar përmes punimeve të tij.

“Është një ekspozitë që të tërheq menjëherë, pra kjo ekspozitë ta tregon një histori që Festivali nuk ta tregon dot, është një histori e jetuar e një personi dhe që pasqyrohet mjaft bukur në këtë ekspozitë”, tregoi Hoxha për KultPlus.


South Outdoor Festival dje solli një ditë të mbushur me aktivitete ndërsa aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe sot, duke i ofruar vizitorët edhe më shumë me bukuritë e këtij fshati./ KultPlus.com

Të ngjajshme