Ku gjendet piktura më e shtrenjtë në botë?

27 Shtator, 2021 - 10:45 am

Dy dokumentarë të rinj futen në sagën e vazhdueshme të ‘Salvator Mundi’ të Leonardo da Vinçit në një moment kur historitë e vërteta të krimit të artit janë në kulmin e tyre, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Diku në Arabinë Saudite, e fshehur me urdhër të Princit të Kurorës Mohammad bin Salman, gjendet piktura më e shtrenjtë në botë, ‘Salvator Mundi’ e Leonardo da Vinçit. Apo nuk është? Askush në botën e artit nuk e di me siguri se ku është piktura. Shumica e vëzhguesve pajtohen se ka gjasë të jetë e fshehur në Lindjen e Mesme, por ka prej tyre që besojn se ajo ruhet në një zonë pa taksa në Gjenevë apo edhe në jahtin gjysmë miliard dollarësh të Princit.

Në pikturë shihet imazhi i Krishtit, si Shpëtimtari i Botës, e cila pikturë në ankandin e ‘Christie’s 2017’, u shit për një rekord prej 450 milion dollarësh prej një përfaqësuesi të bin Salmanit. Por edhe atëherë, shumë ekspertë të Da Vinçit ishin të dyshimtë se piktura kishte diçka më shumë se disa goditje me furçë prej tij, të cilat dyshime janë rritur që nga ajo kohë.

Piktura e mbuluar me shtresa misteri dhe intrigash ndërkombëtare, që paraqet historinë e ‘Salvator Mundi’ është një sagë e vazhdueshme, magjepsëse, e treguar në dy dokumentarë të rinj, ‘Leonardo i humbur’ dhe ‘Shpëtimtari për Shitje: Kryevepra e Humbur e Da Vinçit’?

Piktura, e cila daton qysh prej vitit 1500, humbi në histori për më shumë se 200 vjet, u dëmtua dhe u restaurua keq, dhe u shit dhe u rishit si një vepër e vogël. Por tani piktura e njohur si  ‘Salvator Mundi’ është bërë posteri i përzierjes së paqëndrueshme të parave, fuqisë dhe gjeopolitikës që përcakton botën e artit sot. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme