Kujtohet në 19-vjetorin e vrasjes nga forcat serbe, piktori Kadri Kadriu

11 Mars, 2018 - 4:30 pm

Familjarë, poetë, artistë të profileve të ndryshme, si dhe qytetarë, kanë marrë pjesë sot në 19 vjetorin e vrasjes të artistit dhe poetit të mirënjohur mitrovicas Kadri Kadriu, i cili u ekzekutua nga forcat serbe më 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Ata bënë homazhe tek varri i piktorit, ndërsa kanë vizituar edhe familjarët e tij në kullat e familjes Kadriu te ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, bëri të ditur para familjarëve të të ndjerit se është aprovuar kërkesa e tij e drejtuar para një viti e gjysmë Ministrisë përkatëse, për shndërrimin e katit të tretë të shtëpisë së të ndjerit në një galeri, ku do të ekspozohen veprat e piktorit të ndjerë Kadri Kadriut.

“Sot pikërisht jemi këtu për me ju kumtuar lajmin se është aprovuar në Kuvend dhe janë ndarë mjetet, ndërsa shumë shpejtë do të fillojnë investimet në rregullimin e galerisë. Besoj se kjo galeri përpos që do t’i ruan veprat e piktorit, do të jap mundësinë që edhe komuniteti dhe piktorët tjerë të ekspozojnë e të mbajnë aktivitete”, tha Peci.

Duke kujtuar jetën dhe veprën e të ndjerit, miku i tij, piktori Ali Bejta, veç tjerash ka potencuar edhe aftësitë e shkëlqyeshme prej organizatorit të piktor Kadriut, të cilat mundësuan mbajtjen gjallë të kulturës dhe artit në ato kohëra të vështira.

“Ai e gjente rrugën dhe mënyrën e vërtetë të organizimit të grumbullimit të njerëzve, të ardhjes së tyre, dhe kësisoj kultura në atë periudhë është organizuar në frymën më të mirë të mundshme të asaj kohe”, theksoi Bejta.

Edhe profesori i artit Sejdi Zeka, ka evokuar kujtime për jetën dhe veprën e piktor Kadriut, duke thënë se kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Sipas tij, Kadriu mbetet pano prijëse për gjeneratat e reja. “Nuk po e lavdërojmë Kadriun se është njeriu i parë shqiptar, por Kadriu është një pano prijëse që secili i ri i asaj moshe mund të mësojë. Ai e ka pasur atëherë më vështirë sesa ju sot, mirëpo tash ju e keni më vështirë sesa ai atëherë”, tha mes tjerash Zeka.

Në anën tjetër, Ali Kadriu, vëllai i të ndjerit, ka falënderuar në emër të familjes qeverinë, për mundësinë e krijimit të një galerie në shtëpinë e tyre, që siç u shpreh ai, do të shërbejë për ruajtjen e veprave të të ndjerit, por edhe ekspozimin e veprave të ndryshme të komunitetit artistik. Ai kërkoi nga institucionet që të bëjnë më shumë për ata të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit.

“Institucionet të bëjnë më shumë për gjakun e dëshmorëve, për njerëzit që kanë rënë për këtë tokë. Ne të gjallët kemi obligim moral që të bëjmë më shumë për ta” tha Kadriu./ KultPlus.com

Të ngjajshme