Kukulla pink e Dardan Zhegrovës, pjesë e ekspozitës në Los Angeles (FOTO)

22 Shtator, 2017 - 5:59 pm

Kukulla e famshme e Dardan Zhegrovës, ajo ngjyrë pink – rozë, deri në fund të muajit tetor është ekspozuar në Los Angeles në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artisti kosovar i cili ishte fitues bashkë me Lola Sylajn në konkursin “Artistët e së nesërmes” në kryeqytet, është pjesë e ekspozitës “A Spaghetti Dress for World Peace”.

Zhegrova ka kohë që kukullat e disa ngjyrave i ka ekspozuar në ekspozita e panaire të ndryshme të artit në Evropë. Për secilën prej kukullave, ka në mendje një njeri dhe ndjenjat për atë njeri. Kukullat nisën fillimisht me të verdhë, dhe vazhduan me ngjyra kafe, të bardhë, argjendtë, kaltër, pink dhe ngjyrë ari.

Timothée Calame, Victoria Colmegna, Catharine Czudej, Oto Gillen, Sam Grossinger, Gypsy Sport, Paul Heyer, Megan Marrin, Mark McKnight, David Muenzer, Laura Owens, Bailey Scieszka, Heji Shin, Tom of Finland dhe Dena Yago janë artistët tjerë të përfshirë në ekspozitën që do të jetë e hapur deri me 21 tetor, shkruan KultPlus.

Titulli i ekspozitës është marrë nga një shkrim në New York Times për Miguel Adrover – një dizajner që erdhi nga Mallorca në Nju Jork dhe u bë ndër figurat kryesore të industrisë së Nju Jorkut në fund të viteve 90-të. Shkrimi kuratorial i ekspozitës flet për Adrover dhe për tentimin që gjithmonë puna artistike të pozicionohet politikisht dhe në mënyrë etike, proces ky që megjithatë do të jetë luks. Ideja e ekspozitës është artisti që provon gjithmonë të përçojë diçka me punën e tij, në të njëjtën kohë duke pranuar gjëra nga jashtë vet vepra.


Kukullat me ngjyra tjera të artistit kosovar kanë domethënien e tyre. Kukulla flori, ngjyrë ari, i kushtohet një çifti dhe veprimeve të njërit kur një i tretë lidhet në këtë shoqëri, por me një shkëndijë dashurie. E kaltra merret me takimet që ndodhin online, me anë të aplikacioneve për takime me njerëz të ndryshëm. Kukulla e argjendtë, në anën tjetër, është dedikim për një person, ndërsa ngjyra vjen si totem në këtë udhëtim ku nuk ka asnjëherë ndalesë për të gjetur dashurinë.

Me kukulla Zhegrova ka qenë i pranishëm këtë vit edhe në Art Basel Liste 2017-të. / KultPlus.com

Të ngjajshme