Kur arti fluturon: Thirrja e Berat Hasanit për Kosovën, nga lartësitë e qiejve

12 Gusht, 2025 - 11:00 am

Diellza Gashi

Në një avion mes reve, atje ku horizonti bëhet paqe dhe zhurma shuhet në tingujt e motorëve, një akt i vogël shpërtheu si një dritë e ngrohtë në mes të rutinës. Në vend të një reklame të zakonshme për pushime, shfaqet një skicë. E bardhë dhe e zezë. E heshtur, por e fortë. E vendosur me dorën e një artisti.

Një peizazh i thjeshtë, por tronditës në bukurinë e tij të qetë: një rrugë që futet në një tunel malor, një urë që kapërcen një përrua, shkëmbinj që ngrihen si rojtarë të përjetshëm të natyrës së egër. Dhe mbi të gjitha, një thirrje e vogël, në cepin e sipërm: “Visit Kosovo.”

Sa shumë mund të thotë një fjalë kur del nga një zemër që e do vendin e vet!

Artisti Kosovar, Berat Hasani publikoi në rrjetet sociale artin e tij gjatë një fluturimi, përmes të cilit nuk kërkoi vëmendje, nuk postoi një fushatë, nuk bëri zhurmë. Thjesht zëvendësoi një poster komercial me dashurinë e vet për vendin, të skicuar, të menduar, të dhënë si dhuratë për këdo që do ta shihte. Një veprim që flet me zërin e atyre që nuk harrojnë rrënjët, edhe kur janë lart në qiell.

Kosova, me natyrën e saj të paprekur, me rrugët që përdridhen nëpër male si damarë të gjallë, me urat që lidhin brigje, njerëz, histori  shfaqet në këtë skicë si një ftesë, si një kujtim, si një premtim i bukurisë që pret të zbulohet.

Në një botë ku çdo hapësirë është kthyer në vend për të shitur, ky ishte një vend për të ndjerë. Një vend për të kujtuar se arti është ende gjallë, se dashuria për atë që është e jotja, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, por për gjeste të vogla që digjen si flakë të heshtura në errësirë.

Dikush, diku, do ta shohë këtë skicë dhe do të pyesë: “Ku është kjo?”
Dhe ndoshta, vetëm ndoshta, do të zbresë një ditë në tokën e Kosovës. Jo sepse e pa në një reklamë me zbritje, por sepse një artist vendosi ta thërrasë me shpirtin e tij. Berati i Kosovës. Kosova e Beratit…/KultPlus.com

Të ngjajshme