30 Maj, 2025 - 3:05 pm
Disa njerëz, çdo mëngjes shkelin botën si një fletore të bardhë; të tjerë zgjohen me një zjarr të brendshëm që flakëron për të sjellë gjëra të reja në një botë monotone.
Prof. Orhan Kerkezi nuk është thjeshtë një mësimdhënës, ai është udhërrëfyesi që me një shkrepsë të vetme ndez po atë zjarrë brenda çdo gjenerate të cilës i mëson se çfarë do të thotë krijimtaria dhe kreativiteti i vërtetë.
Më 26 dhe 27 maj 2025, në Fakultetin e Arteve një llavë e nxehtë emocionesh dhe aventurash artistike u bë e qasshme për një publik më të gjerë. Nuk u organizuan thjesht dy ekspozita, por një ekspeditë nëpër labirintin e mendjes së gjeneratave të reja të artistëve tanë.
“E di çfarë ha, por nuk e di çfarë po krijoj”
26 maj 2025: Departamenti i Artit Muzikor
Në këtë ekspozitë, nota muzikore nuk qëndroi në pentagram. Meloditë dhe harmonitë e dendura që në normalitet dëgjohen në formë të tingujve, këtë ditë prekën çdo vizitor, student, e profesor përmes shqisës së shikimit. Notat e lumturisë, mërzisë, melankolisë e çdo emocioni tjetër, u përplasën në mur, u kthyen në ngjyrë, në strukturë, në prani emocionale.
Studentët e muzikës lanë me një anë instrumentet muzikore dhe kapën në dorë penelët magjik. Duke përdorur ngjyrat dhe mjetet e tjera që për ta ishin të panjohura, ata përkthyen ndjenjat e tyre në formë, në një histori që e ndanë me njëri-tjetrin dhe me ne.
Në hyrje, një fjali e vetme dhe e fuqishme: “E di çfarë ha dhe e di çfarë tretë, por se çfarë po krijoj, nuk e di.” Mjaftonte kjo për të ditur se nuk ishte një ekspozitë, ishte një rrëfim, një pohim i guximshëm nga dikush që ka frikë vetëm nga boshëllëku shpirtëror, jo nga pasiguria, jo nga e panjohura, jo nga sfida.
“23 ngjyra – Lamtumirë”
27 maj 2025: Departamenti i Arteve të Bukura
Një korridor në përditshmëri, por u bë një dritare drejt shpellës shpirtërore të studentëve tanë, në mbrëmjen e 27 majit. Errësira u shtri mbi ndërtesën e Fakultetit tonë. Një muzikë në sfond, fryma artistike, shikimet drejt të panjohurës, dhe misteri na përcjellën drejt një eksperiencë të paharrueshme. Secili student la një vepër dhe një tekst që e shoqëronte si një rrëfim i fundit para ndarjes. Nuk kishte ndriçim. Vetëm drita e telefonit të vizitorit, një dritë intime, e vetme, që përshkonte errësirën si një kujtim që nuk ikën. Nën këtë dritë, shndriti e vërteta e studentëve të Arteve të Bukura.
Ata që hynë, duhej të uleshin, të prisnin, të lexonin, të ndalonin. Në një botë që vrapon, kjo ekspozitë të ftonte të bëheshe njeri sërish, të ndjeje, të mos e lije shpirtin të flinte. Dhe kur dilje jashtë, e kuptoje: 23 ngjyra ishin më shumë se një numër. Ishin një shtrëngim duarsh në errësirë.
Për dy ditë, korridoret e të dy objekteve të Fakultetit u mbushën me art, por edhe me heshtje, me prani, me shpirtin artistik. Ishin ditë që do të lënë gjurmë, sepse nuk flisnin për të bukurën sipërfaqësisht. Ishte magji, ajo që ndodh vetëm kur një profesor dhe studentët e tij shndërrohen në një supernovë që pushton galaktikën, jo për të marrë vëmendje, por për të ndriçuar rrugën drejt së ardhmes.