Kurti: Adem Demaçi ishte intelektuali dhe disidenti më emblematik i Evropës Lindore

26 Shkurt, 2020 - 12:26 pm

Bujar Meholli

Ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi” u hap sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës e organizuan këtë ekspozitë në nder të 84-vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte i pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite dhe duke folur para publikut të shumtë që u mbledh për t’i parë këto portrete, lartësoi figurën e Demaçit si dhe potencoi se i falet atij për rrugëtimin politik.

“Kjo ekspozitë po hapet në nder të përvjetorit të Adem Demaçit, atij më të devotshmit, atdhetarit, liridashësit, intelektualit, patriotit me të cilin jemi të rrethuar në këtë ekspozitë me fotografitë dhe pikturat e tij”, tha ai.

“Baca Adem është një prej veprimtarëve më të mëdhenj që kemi pasur, ai jetën e tij e vendosi në shërbim të shqiptarëve dhe ishte gjithmonë i njëjtë në çdo situatë”.

“Kur nuk kishim shkolla shqiptare Adem Demaçi ishte mësuesi jonë, kur nuk kishim universitet ai ishte intelektuali jonë. Kur ishim të shpërndarë ai na bëri bashkë, e kur harronim ai na rikujtonte, andaj kjo ekspozitë vjen si freskim i kujtesës për të. Baca Adem i kushtoi gjithë jetën e tij idealit të kombit shqiptar, te ai e gjente të vërtetën”, potencoi Kurti.

“Adem Demaçi dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston, filloi si gazetar dhe intelektal dhe ai ishte disidenti më emblematik i Evropës Lindore”, potencoi Kurti.

Tutje, Kurti tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta botojnë të plotë tërë krijimtarinë e Adem Demaçit.

Edhe Drejtori i rizgjedhur i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku u shpreh i lumtur me jetësimin e kësaj ekspozite.

“Është nder i veçantë për Bibliotekën e Kosovës, kjo ekspozitë ku paraqiten portrete dhe fotografitë e intelektualit dhe veprimtarit të shquar Adem Demaçit” tha Gajraku.

Interesimi për këtë ekspozitë ishte mjaft i madh. Adem Demaçi në vitin 2010 mori titullin “Hero i Kosovës” për kontributin e tij. /KultPlus.com

Të ngjajshme