“Kushdo që do debat, le t’vjen nëpër oda të burrave…”

15 Janar, 2018 - 3:45 pm

Prapë, katër vajzat kanë problem me fjalët për odën e burrave dhe me mendësinë që oda e proklamon.
“”Kushdo që do debat, le t’vjen nëpër oda të burrave, ku kollet burri, e bajna llaf e pina çaj rusi deri n’sabah. Në këto ndeja ‘kanunqe’ sbahet kijameti.”

Ky është citim prej Ramush Haradinajt, kryeministrit të vendit, i vendosur në fotografinë e vajzave të grupit HAVEIT, realizuar brenda një hapësire tradicionale.

HAVEIT janë bashkuar në një fotografi ku reagojnë ndaj kësaj fjalie, por edhe narrativës së tillë.
Lola Sylaj nga HAVEIT tregon se pse u realizua kjo fotografi dhe për çka po reagohet.

“Ka një kohë të gjatë që tashmë jo vetëm në fushata zgjedhore por edhe në diskutime tjera politike rreth çështjeve të ndryshme politikanët në Kosovë zgjedhin odën e burrave, odë kjo e cila vazhdon mendësinë e patriarkalitetit ku burri më i moshuar është më “i urti”, tradita këto të cilat mbrohen e lartësohen nga politikanët, ku gjuajtja me armë shihet si diçka festive dhe jo e jashtëligjshme” tregon Sylaj.

Haradinaj njihet për një mentalitet të tillë. Jo shumë kohë më parë, ai rrëfehej se nuk ekziston ndonjë problem në gjuajtjen me armë gjatë festave, pasi kjo na qenka ‘traditë’. I njëjti e përdorë Kanunin dhe Odën e burrave kurdoherë që ka mundësi, si ligje mbi të cilat funksionon shoqëria shqiptare.

“Është absurditet që kryeministri haptas e përdorë odën ende si hapësirë debati dhe refuzon të marrë pjesë në debate mediatike. Në këtë kohë adetet e “kanunqet” le të mbesin nëpër muze” pohon Lola Sylaj për KultPlus.
Vetëm para pak ditësh, vajzat e grupit HAVEIT, të njohura për performancat e tyre dhe ndërhyrjet artistike në lokacione të ndryshme e mbi kauza të ndryshme, i ‘çuan’ fjalë kryeministrit me anë të punës ‘Tager’, ku zihet Kanuni si libër dhe përmbledhje e rregullave.

HAVEIT në të kaluarën kanë reaguar rreth vrasjes së Diana Kastratit nga bashkëshorti i saj, rreth problematikës së depresionit pas lindjes tek gratë dhe rreth diskriminimit që i bëhet komunitetit LGBT në baza ditore në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme