“The Last Resort” e Anri Salës është vepër shembullore e artit publik

23 Tetor, 2017 - 2:28 pm

Historianët asnjëherë nuk mund të pajtohen me të ashtuquajturën “Epokë të iluminizmit”. Përkufizimi i ngushtë i ka fillet te vdekja e Luigjit XIV në vitin 1715 dhe te fundi me Revolucionin Francez në vitin 1789. Versioni i gjatë nis diku në fundin e viteve 1600 dhe dështon më 1815 me mundjen e Napoleonit në Waterloo.

Ashtu sikurse datat, kontestohen po ashtu edhe arritjet e asaj epoke kur shkenca dhe filozofia avancuan goxha. Jemi mësuar të mendojmë për iluminizmin si pikë referimi në historinë e civilizimit, por vazhdimisht po shikohet si lëvizje eurocentrike që frymëzoi sjelljet imperialiste karshi pjesës tjetër të botës. Natyra e dyfishtë e iluminizmit është eksploruar në projektin artistik në “33rd Kaldor Public Art Poject”, “The Last Resort” të Anri Salës. Kombinimi i lokacionit spektakular (në “Observatory Hill) dhe instalacioni i konceptuar në mënyrë brilante, e bën këtë një prej projekteve më të paharrueshme të Kaldor, shkruan The Sydney Morning Herald, transmeton “Koha Ditore”.

Sala u lind në Shqipëri në vitin 1974, i cili kaloi 11 vjet të jetës së tij nën diktaturën e Enver Hoxhës, një eksperiencë që ndoshta mund të përshkruhet si formuese e karakterit. Në vitin 1996 ai la Shqipërinë dhe shkoi në Paris për studime dhe brenda pak vitesh u bë i njohur në qarqet e artit bashkëkohor.

Sala nisi të vlerësohet për punën e tij me seritë e videove që kombinojnë refleksionet mbi natyrën e muzikës, arkitekturën dhe politikën. Këto janë tema pothuajse të pazakonta për artistët e sotëm, por ishte mendimi i mprehtë i Salës prapa secilës vepër që e bëri atë të dallohet. Duke mos menduar për përmbajtjen që i prezanton audiencës, ai ka hulumtuar secilin projekt duke krijuar vepra shumështresore që fokusohen në marrëdhëniet e kontradiktat dhe jo në rregullimin e ideve.

Në të kaluarën Sala ka përdorur muzikë të ndryshme si “Transfiguerd Night” i Schonbergut dhe “Should I Stay or Should I Go” i Clash. Për “The Last Resort” ai ka marrë një prej kryeveprave të iluminizmit, kohën “Adagio” prej veprës “Clarinet concerto in A major” të Mozartit. Sala ka zëvendësuar tempin origjinal prej veprës së Mozartit me instruksione të reja të bazuara në kushtet atmosferike të përshkruara nga marinari James Bell, në një ditar privat të udhëtimit të tij në Australi në vitet 1838-1839. Vepra e riaranzhuar, e incizuar nga “Munchener Kammerorchester”, gërhet, fishkëllen dhe me shpejtësi vjen prej altoparlantëve të vendosur në objektin e rrumbullakët. Secila notë shkakton një ritëm të caktuar prej 38 daulleve që kanë të ngjitura nga një palë shkopinj, të cilat qëndrojnë të përmbysura në tavan. Artisti thotë se ai është frymëzuar pasi ka parë lakuriqët e natës duke dremitur në “Royal Botanic Gardens”.

Rezultati nuk është kakofoni po bashkëpunim mes Mozartit dhe elementeve. Kur moti është i mirë muzika sistemohet në modele të harmonizuara me daulle që tingëllojnë sikur bubullima që vijnë nga larg. Sala i referohet procesit si “çoroditje” e veprës origjinale, ndoshta të shkaktuar nga distanca që është dashur të bëjë për të udhëtuar prej botës së vjetër në të renë. Duke lënë erën që të diktojë, tempi bëhet i përshtatshëm për një koncert të kompozuar për instrumente frymore. Miraton në njëfarë mënyre luftën në midis natyrës dhe kulturës, në mes të ëndrrës së iluminizmit të kontrollit perfekt e të kuptuarit, dhe ndërhyrjet e paparashikuara të motit. Dikush mund ta lexojë këtë si metaforë për mënyrën se si kolonitë britanike kërkuan të imponojnë një ideal të civilizimeve në një tokë të re dhe tek banorët e saj. Nuk ka pasur njohje se jeta aborigjene prezantonte formë tjetër të kulturës që ia vlen të respektohet. Kolonistët e aborigjenëve ishin të egër, jetët e të cilëve mund të përmirësoheshin vetëm me përshtatjen e mënyrës perëndimore të jetesës. Në rastin më të mirë, të ndiqnin konceptin tjetër të Jean-Jacques Roussear, se ata mund të jenë “fisnikë të egjër” që jetojnë në harmoni me natyrën në mënyrë që ishte e pamundur më për evropianët. Ky vrojtim për shoqërinë indigjene kishte disa pasoja praktike. Edhe vrojtuesit më simpatikë besonin se racat aborigjene ishin të destinuara që të zhduken. Pushtuesit e racës së bardhë vetëm mund të praktikonin kujdes të përkohshëm derisa progresi mori drejtimin e vet të paevitueshëm. Ishte pikëpamje që do të konfirmohej nga darvinizmi social në vitet më vonë.

Krejt kjo nënkuptohet në deformimet e koncertit të Mozartit, por edhe vendosja është njësoj e rëndësishme. “Observatory Hill” ishte pika më e lartë në Sidney. Ishte vendi ku kolonialistët shkonin për të shikuar yjet, të parashikonin motin dhe të shikonin anijet që vinin. Ishte vend me rëndësi të madhe për shkencëtarët dhe sigurinë e kolonisë. Objekti i rrumbullakët është hapësirë për pamje, muzikë dhe ndeja, por gjithashtu shërben si pikë vrojtimi. Në fushën e vet 360 shkallëshe jehon modeli i filozofit të iluminizmit, Jeremy Bentham, të cilin ai e rekomandoi si vend për të shikuar të burgosurit. Sugjeron një ndarje mes kënaqësive romantike të pamjes dhe pajisjes për kontroll social. Na kujton se edhe ligjet e zakonet më “iluminuese” janë të vendosura ideologjikisht dhe të mbështetura nga kërcënimi i dhunës. Daullet e grumbulluara janë reminishencë e bandës ushtarake.

Edhe shumë më shumë mund të thuhet për “The Last Resort”. Është Sala që thotë se Australia ishte resori i fundit për sistemin e drejtësisë së britanikëve që kërkon një vend të ri për klasat e veta kriminale, apo ai sugjeron se civilizimi i çoroditur dhe i lodhur është dashur të shikohet përtej kufijve të vet për të kërkuar rilindje. Është po ashtu ideja për Australinë si “resor” ku turistët shkojnë për t’u relaksuar dhe për të bërë qejf. Me një fjalë ne e kuptojmë se si imazhi i një shteti ka pësuar metamorfozë prej burgut në park të kënaqësive.

Si një vepër shembullore e artit publik, “The Last Resort” – që zë vend në Sydney prej 13 tetorit deri më 5 nëntor – na fton që të vlerësojmë bukuritë e portit dhe të koncertit të Mozartit, por gjithashtu nxit më shumë reflektime kritike. Na bën të mendojmë për vendin që e quajmë shtëpi, por nuk jep asnjë mesazh. Nëse ky qytet arrin që të ketë një diskutim të hapur dhe të ndershëm për rolin e artit publik, projekti i zgjuar i Salës atëherë është vendi ideal për ta filluar këtë debat./KultPlus.com

Të ngjajshme