21 Maj, 2025 - 12:02 pm
Në Galerinë ODA do të bëhet hapja e ekspozitës së qeramikës nga artistja e njohur Laura Silamniku Kryeziu, në Shkodër.
Laura Silamniku Kryeziu është themeluese e Studios URA, studioja e parë e qeramikës artistike në vend, e themeluar në vitin 2005. E diplomuar në drejtimin e pikturës, Laura e ka gjetur veten në një lidhje të thellë me baltën – një medium që për të përfaqëson tokën, transformimin dhe ndjeshmërinë. Nëpërmjet prekjes dhe zjarrit, ajo krijon vepra të cilat përçojnë ndjenja, kujtime dhe frymëzim.
Punimet e saj dallohen për stilizimin elegant, përfshirjen e simbolikës, ngjyrave ekspresive, si dhe për elementet e frymëzuara nga legjenda, tradita dhe përditshmëria. Çdo objekt i ekspozuar është unik në formë, ngjyrë apo funksion – një kombinim artistik që i flet shpirtit dhe syrit njëkohësisht.
Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Shkodër një përzgjedhje të veprave më të fundit të Laurës, të cilat synojnë të krijojnë një dialog të heshtur mes artit, natyrës dhe emocioneve njerëzore.
Ekspozita do të hapet më 24 Maj 2025, në ora 19:00, në hapësirat e galerisë ODA në Shkodër./ KultPlus.com