Lorik Sylejmani, artisti i shumanshëm që përmes brendit “Lorik Aveny” synon sukses në fushën e modës

23 Qershor, 2020 - 6:57 pm

Bujar Meholli

Mesi i viteve ’50 në Britani dhe fundi i viteve ’50 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës solli Pop artin, lëvizjen artistike që në fillin e diskutimeve të artistëve e quajtën veten Grup i Pavarur. Artistët e kësaj lëvizjeje përdornin imazhe reklamash, produktesh e logosh, duke ndjekur piktorin amerikano-francez Marsel Dyshamp, andaj u quajt neo-dadaizëm për t’u emëruar pop art më vonë.

Artisti shqiptar Lorik Sylejmani, i njohur për artet vizuele, dizajnët dhe shkrimet për koncertet e bendeve të famshme muzikore, së fundmi ka provuar veten edhe në fashion, të cilin ai e sheh si gjë të bukur që e ka tërhequr, ndaj dhe vendosi ta krijojë brendin “Lorik Aveny”, në të cilin vërehet ndikimi nga Pop arti.

Sylejmani në këtë prononcim për KultPlus, tregon se si erdhi ideja për ta realizuar këtë brend novator në vendin tonë, teksa shpalos edhe gjëra tjera me interes.

“Në vitin 2014, jam përzgjedhë nga nje kurator ne New York, që me veprën time Dirty Boulevard të paraqitem në Eagle Store/Times Square, në LED për një ditë të tërë së bashku me njëqind artistë të tjerë. Befasia ka qenë kurë nga po i njëjti më janë dhuruar tri majuca/bluza në të cilat ka qenë i shtypur punimi i njëjtë. Ato pastaj u dhurova tre shokëve, ndërsa njëri nga ta e kishte veshur në festivalin më të madh të muzikës elektronike në Berlin dhe më kishte treguar se shume, tekstualisht shume të pranishëm kishin pyetur se ku mund ta blinin një të tillë. Aty më lindi një ide që të krijoja një brend timin më punët e mia artistike, të shtypura në material tekstili. Për shkak se këtu nuk kam hasur në kompani që e bëjnë këtë punë, e kam lënë pas dore, derisa në kohën e pandemisë, duke shikuar nëpër rrjetet sociale, kam hasur në kompaninë në fjalë e cila po e bënë shtypin të një cilësie të lartë”, thotë fillimisht ai.

I pyetur nga KultPlus se ç’e ka tërhequr drejt fashionit, Sylejmani shprehet:

“Kuptohet, gjërat e bukura tërheqin, e një ndër to është edhe fashion. Nëse flas për fashion dhe tërheqjen me te, e kam vetëm në një aspekt, atë që e quajmë trend në muzikë, ne veçanti disa rryma muzikore si punk, goth dhe new wawe.  Klasika mbetet klasikë dhe e pa tejkaluar, ashtu unë mendoj”…

Veçantia e këtij brendi qëndron edhe tek emri “Lorik Aveny” për të cilin artisti thotë se i erdhi ideja nga një emision televiziv i vitit 2000, “Bulevard dhe Aveny” ndaj dhe vendosi që brendin ta quajë me këtë emër.

“Në fillim vitet e 2000-ta, së bashku me regjisorin e ndjerë Gëzim Krasniqin e kemi realizuar emisionin televiziv që shtjellonte kryekëput tema për artet në përgjithësi të cilat i qaseshin artit në aspektin më alternativ dhe eksperimental. Një punë e imja quhej Bulevard dhe Aveny, dhe pasi që në radio, së bashku më Dj Caboo kisha emisionin muzikor Bulevradi, vendosëm që ta quajmë emisonin ne tv, Aveny. E, pse jo të mos e quaj brendin me këtë emër, mendova!”

Artisti poliedrik tregon se megjithëse nuk e përcjell modën në koherencë, u inspirua nga Vivienne Westwood, Jean Paul Gaultier dhe Kenzo.

“Nuk e përcjelli modën në koherencë. Rrallë ndonjë sfilatë e çuditshme që e has në tv, zakonisht në fund të lajmeve si kuriozitet. Nëse do duhej t’i zgjedhja disa, patjetër jam i fokusuar në tre nga ta. Vivienne Westwood, Jean Paul Gaultier dhe Kenzo”.

Pop arti dhe muzika e kësaj fryme, absolutisht lidhen me urbanizmin, pjesë e së cilit është edhe Sylejmani i cili kohë më parë botoi librin me titull karakteristik “Sallatë dhe çalldisje”, ku me një gjuhë interesante, përmbledh disa ese për koncertet e bendeve të njohura të cilat ai i ka ndjekur. Në galerinë e këtij libri bëjnë pjesë artistë e bende të mëdha si Bob Dylan, David Bowie, The Smiths, e të tjerë. Se a ka ndikuar muzika si inspirim i Sylejmanit në këtë brend, ai shprehet:

“Mendoj se çdo artist, i çfarëdo lëmie të jetë, nëse mëton që të krijoj diçka artistike, duhet të dëgjojë muzikë të mirë dhe të lexojë shumë. Mund ta kujtosh një poet të mirë që nuk ka preferenca muzikore? Do ishte e pamundur. Për shembull, Salvador Dali kishte dëgjuar tërë kohës këngët e David Bowie-t. Poashtu, edhe artist viziv mbetesh i mangët po nuk dëgjove shumë muzike, lexove libra, nuk shikove filma dhe anasjelltas. Nuk kam qenë as unë përjashtim. Nuk e paramendoj botën pa muzike. Mendoj, një ndër dhuratat  më të bukura që na i është bërë njerëzimit, është muzika”.

“Gjatë të 90-ve kam qenë i ndikuar sado pak nga pop-kultura, stripat, literatura, arti. Me kalimin e kohës, dhe pjekjes sime si njeri dhe artist, gjërat kanë filluar të lëvizin. Koha e teknologjisë na ka mundësuar që të njihemi me çdo gjë që ndodhë në botë. Natyrisht, kjo ka pas ndikim edhe në mua. Vitet e 2000-ta kanë qenë një kthesë e madhe dhe artin tim dhe sot nuk mund ta definoj në një rrymë. Ka nga pak prej secilës nga to. Do isha i pasinqertë sikur të e mohoja këtë”, thekson ai.

Edhe materialet e përdorura në këtë brend janë interesante dhe të veçanta. Përveç pëlhurës së bardhë aty përdoren edhe materiale tjera, siç shpjegon Sylejmani:

“Për të arritur efektin e shtypit të përsosur dhe kualitetit të ngjyrave, në mënyrë që ato të rrinë tejet të freskëta dhe shpërthyese, materiali më i përshtatshëm për të arrit këtë synim u arrit në material sintetik, shumë i përshtatshëm për stinën e pranverës dhe verës. Për fillim është ky material, i cili do jetë për trenerkën e sipërme në sezonin e vjeshtës”.

Lorik Sylejmani që deri më tani ka krijuar një karrierë të gjatë dhe mjaft të suksesshme edhe në arte vizuele, dizajn, gazetari dhe muzikë, synon të arrijë suksese edhe në fushën e modës teksa shprehet se do të ishte i kënaqur sikur t’i shihte të rinjtë nëpër Prishtinë teksa parakalojnë me dizajnët e tij.

“Qëllimet janë nga më të ndryshmet, duke u nisë nga ai më baziku për një artist, që vepra e tij të multiplikohet në sa më shumë hapësira, pra të jetë afër më konsumatorin. Do isha shumë i kënaqur po sikur nesër të shihja gjithandej Prishtinës të rinjtë më dizajnet e mia në maica duke shëtitur nëpër qytet. Por, synimi final është që ky brend, ndoshta jo në këtë sezonë, por në sezonin tjetër të jetë i pëlqyer gjithandej botës. Besoj se do jetë një ndjesi që do më shtyjë të krijoj akoma më shumë. Po më pëlqen të punoj në këtë drejtim. Po më jep kënaqësi çdo koment apo pëlqim i punëve qe po i bëjë, e të cilat janë në numër të madh”.

Madje, ai i inkurajon dhe përkrahë edhe artistët e rinj që të marrin iniciativa të tilla.

“I inkurajoj dhe i përkrahë shumë. Secili nga ne kemi publikun dhe blerësit e veprave tona. Një medium tjetër i pasimit të tyre do ishte edhe një përvojë më shumë dhe një kënaqësi e bukur”, përfundon ai. /KultPlus.com

Të ngjajshme