Lorik Sylejmani na e shpërfaqë vetminë në Galerinë Kombëtare të Kosovës

5 Prill, 2018 - 8:42 pm

Artisti Lorik Sylejmani po vjen me ekspozitën e tij të radhës.

Ekspozita personale në Galerinë Kombëtare, me artist Lorik Sylejmanin, do të hapet me 11 prill.

Ekspozita titullohet “Eja të shohësh vetminë”, dhe hapet në ora 19:00.

Eja ta shohësh vetminë
… është ftesë për të hyrë në botën e Lorik Sylejmanit, mjeshtërisht të shfaqur para nesh në ekspozitën e tij vetanake me titull poetik. Titull ky, që nuk guxon të anashkalohet pa e marrë parasysh. Ne mund ta kuptojmë këtë titull në formë ftese, ose si një parashikim çuditërisht të errët të së ardhmes së njerëzimit, ose si një manifestim të vetmisë si gjendje njerëzore jo domosdoshmërish të keqe. Sido që ta kuptojmë, nuk do të gabojmë.
Ftesa e Lorikut i drejtohet kujtdo: si atyre që e njohin vetminë dhe vijnë për të kërkuar gjëra të përbashkëta, ashtu edhe atyre që nuk e ndjejnë vetminë, që të njihen me të dhe më pastaj të vendosin se a është vetmia tragjedi e njeriut bashkëkohor, apo ndoshta është interpretim melankolik i vetes. – shkruan Arta Agani, drejtoreshë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, për ekspozitën në fjalë.

Lorik Sylejmani u lind në Prishtinë në vitin 1972. Diplomoi në fakultetin e Arteve dega e Disenjit Grafik, në vitin 1995.

Studimet pas diplomike i përfundoi në vitin 1998 në temën ‘’Prezantimi vizual dhe tipografik i dy artistëve nga Nju Jorku: Laurie Anderson dhe Lou Reed”.

Nga viti 2008 ai ligjëron lëndët Histori e Disenjit dhe Brending ndërsa është autor i emisionit ‘‘Aveny’’ në televizion si dhe ‘’Pilot Underground’’ në radio.

Ekspozita e Lorik Sylejmanit do të jetë e hapur deri me 11 maj, në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

(Ballina: Atdhe Mulla)

Të ngjajshme