Lulzim Zeqiri solli udhëtime në tri pika kyçe të jetës e krijimtarisë së tij (FOTO)

20 Nëntor, 2018 - 11:24 am

Gili Hoxhaj

Një pamje ndryshe i kanë dhënë Galerisë Kombëtare të Kosovës shtyllat e vendosura në katin e poshtëm të saj.

Ato simbolizojnë të ardhmen në sytë e autorit, duke përshkruar shoqërinë në tranzicion. Nëse shihet në kontekstin e aktiviteteve të përditshme simbolizon qartë edhe një bazament që të krijon frikë e siguri në të njëjtën kohë. Po ashtu përmes pikturave në ekspozitë, autori shpreh lidhshmërinë mes gjendjes shpirtërore e asaj fizike, ku përshkruan pjesën e fundit të ditës së një gruaje, e cila këmbëzbathur qëndron si gjysmë e fjetur e gjysmë e zgjuar që paraqet një prehje shpirtërore. Hija e vendosur në pikturë u jep atyre kahe kah instalacioni. Derisa shikon shtyllat e vendosura jo shumë larg tyre, e kujton simbolikën e tyre se si gruaja është parë gjithnjë si shtyllë e shtëpisë edhe pse në këtë rast paraqitet roli i saj i amvisërisë që e ka shoqëruar gjatë viteve.

“Sa i përket shtyllave lidhja më e mirë kish qenë me tranzicionin, ku e shoh si një ngarkesë për të ardhmen por në anën tjetër kur bëjmë aktivitetet tona, shtyllën mund ta shohim edhe si suportuese por në anën tjetër na jep frikën sepse e dimë se saktë diçka është përmbi. Në anën tjetër gratë në piktura paraqesin një gjendje të caktuar shpirtërore e fizike që paraqesin një gjendje që vetëm në vetmi mund ta përjetojnë një gjuhë të trupit”, tregon autori duke shtuar se shtyllat mund të përballin gratë si diçka fisnike.

Ekspozita që erdhi mbrëmë nga Lulzim Zeqiri, shpreh të gjitha bindjet e dilemat e autorit për profesionin për të cilin shprehet se nuk “ua lejon ta ndërrojnë”. Ai tregoi për KultPlus se titulli “Muzeu i Tri Pikave” e ekspozita si tërësi paraqet një vazhdimësi që lidhet me fëmijërinë e tij, me pasionin për profesionin dhe me të ardhmen që e ka bazën në tranzicon.

“Titulli “Muzeu i Tri Pikava” ka qenë një titull për të cilin kam menduar mjaft gjatë se si ta vendos titullin pasi që është si një derë e hapur prej nga njerëzit mund ta shohin veprën. “Tri pika” e kam menduar si një vazhdim sepse kjo është një intervenim hapësinor ku janë përmbledhur punimet ose gjërat të cilat i kam marr prej fëmijërisë, i kam liruar nga bota e rëndomtë dhe janë vendosur në një gjendje tjetër dhe kjo është një pikë. Pastaj është pasioni im, piktura me të cilën unë merrem e që s’ma lejon të mos merrem me të, e që paraqet pikën e së tashmes dhe pika tjetër është për një të ardhme me të mirë për vendin tim dhe ekzistencën që është e paraqitur në këto shtylla që sado na japin një siguri e në anën tjetër na japin edhe një lloj frike”, shpjegoi Zeqiri për KultPlus.

“Shaping the Infinite” paraqet fotografi të veturave të mbledhura ndër vite. Duke i dhënë formë infinitit. Ky instalacion vjen si monument i lumturisë të cilën artisti thotë se shpesh e synojmë nganjëherë pavetëdijshëm.
“Ky instalalacion paraqet fotografi të mbledhura ndër vite nga vëllai im, unë i kam ndihmuar kohë pas kohe. Më ka fascinuar pasioni i tij pavetëdijshëm dhe numrat që i ka mbledhur, këtu e vëren atë të pakufishëm për lumturi tek fëmija”, pohon tutje Zeqiri.

Mbi letrat me mbishkrimet qëndrojnë farat, ato letra janë letra që artisti i ka shkëmbyer me babanë e tij e pikërisht aty takohen dy bindje në një pikë. Farat dhe poezia të cilat momentin që i hedh i përkasin krejt dikujt tjetër. Aty autori shtjellon idenë për të përsosurën e pakompromis.

“Atij që i vendos farat i intereson ta ketë një letër për t’i terur ato, atij nuk i intereson se çfarë shkruan, në anën tjetër, ato fara që i merr prej frutit më të mirë, nuk varen asnjëherë prej tij por edhe prej kohës, tokës dhe shumë gjërave kurse sado që e shkruan një poezi të mirë kurrë se di a është më e mirë, sepse pastaj nuk varet prej teje po prej lexuesit”, shtoi artisti Lulzim Zeqiri.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani tha që artistin Lulzim Zeqiri e njeh qysh moti dhe prej tij ka mësuar se si t’i vendos kornizat në pikturë, ndërsa tha se ekspozitën e mbrëmshme e cilëson si të jashtëzakonshme.

Në mesin e shumë vizitorëve që kishin mbushur Galerinë Kombëtare të Kosovës, ishte edhe shkrimtari e publicisti Shkëlzen Maliqi. Ai tha për KultPlus se Lulzim Zeqiri përfaqëson një nga figurat më të rëndësishme të skenës artistike në Kosovë. Në këtë ekspozitë, Maliqi theksoi piktura që vijnë në formën e i pikturës konceptuale dhe që shfaq një imazh të Kosovës, veçmas të grave kosovare e që ne nuk e shfaqim shumë shpesh.

“Lulin e njoh që prej të 90-ve dhe si student ka qenë një prej artistëve më të mirë të brezit të tij. Kohëve të fundit nuk e kam përcjellë aq shumë pasi që ai ka qenë në Austri e unë në Shqipëri por kjo ekspozitë apo ekspozitë në treshe është shumë interesante, sidomos ajo pjesa me pikturat ku më ka befasuar, po ashtu me shtyllat e vendosura në galeri që e ka një efekt të përditshmërisë së Kosovës”, u shpreh Maliqi për KultPlus duke shtuar se kjo dëshmon se ndonjëherë artistët kur janë larg duket se e konceptojnë më mirë vendlindjen.

Zeqiri ka përfunduar Fakultetin e Arteve, drejtimi pikturë, në vitin 2002 në klasën e Xhevdet Xhafës, ku më pas edhe ka magjistruar në vitin 2007, në klasën e Rexhep Ferrit.

Është pjesëmarrës në shumë ekspozita ndërkombëtare e vendore, si dhe fitues i disa çmimeve. Në vitin 2003 ka fituar çmimin e parë në edicionin e parë të shpërblimit ndërkombëtar, “Muslim Mulliqi” , kurse më 2011 ka marrë çmimin “Filmi më i mirë kombëtar” në Dokufest për filmin “Portreti i humbur”.

Po ashtu është fitues i çmimit të dytë për inovacion në artin publik nga Zyra e BE-së në Prishtinë në vitin 2012./ KultPlus.com

Të ngjajshme