Manifesta shpalosë programin, 77 pjesëmarrës nga 32 shtete

5 Prill, 2022 - 2:08 pm

Manifesta 14 Prishtina ka shpalosë programin e këtij edicioni që do të mbahet në Prishtinë, e që pritet të pfrezantohen 77 pjesëmarrës nga 32 shtete, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë njoftuar se ky edicion do të shtrihet në 22 lokacione në gjithë qytetin e Prishtinës, ku pritet të jenë 40 ndërhyrje artistike, 32 vepra të konceptuara enkas për Prishtinën.

Kurse sa i përket përfshirjes së artistëve nga Kosova, pritet të prezantohen 37 artistë, duke përfshirë edhe 16 sosh nga Ballkani Perëndimor.

Ndërkohë, në konferencën e sotme ku ka marr pjesë ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Çeku e kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, institucione direkte me këtë festival, është thënë se edicioni do të nisë më 22 korrik të këtij viti, dhe përgjatë festivalit pritet që Prishtina të vizitohet nga 100 mijë vizitorë.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se ky është viti më i rëndësishëm kulturor ndërkombëtar në Kosovë, kurse Përparim Rama e quajti mundësi fantastike për kryeqytetin.

“Mundësi fantastike për Prishtinën, pasi programi është i pasur dhe do të ngërthejë gjithë kryeqytetin. Do të jetë një edicion i pasur programor i Manifestës, i cili do të konceptojë 22 pika”, tha ai.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Manifesta-s, Hedwing Fijen, tha se këtë vit do të ketë shumë risi, derisa prezantoi disa nga shtyllat të programit të sivjetmë.

“Katër shtyllat qendrore të programit të Manifesta 14 në Prishtinë janë: ish hapësira industriale e fabrikës se tullave, Hotel Grand i ndërtuar gjatë periudhës jugosllave, qendra e re për praktikë rrëfyese në ish biblotekën ‘Hivzi Sylejmani’ dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike dhe urbane në qytet”, tha ajo./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme