Maria Pacolli, kryetarja e Fondacionit “Ibrahim Kodra”: Gratë e “121 foto në 121 jetë suksesi” kanë bërë një punë të jashtëzakonshme

7 Gusht, 2019 - 3:26 pm

“121 foto në 121 jetë suksesi” që është duke u prezantuar në Strugë, përkatësisht në Festivalin e Teatrove “K’tu Fest” ka marë një vëmendje të madhe, duke u njoftuar të pranishmit me sukseset e 121 grave shqiptare anë e mbanë botës, shkruan KultPlus.

Këtë ekspozitë në emër të Fondacionit “Ibrahim Kodra” e ka përshëndetur edhe kryetarja e këtij fondacioni, Maria Pacolli, e cila njëherit ka vlerësuar punën e Flora Nikollës, e cila edhe e ka realizuar këtë koncept prezantimi, që përfshinë fotografitë e 121 grave të suksesshme shqiptare, të cilat më pas edhe janë botuar në një libër po me të njëjtin titull.

KultPlus ju sjellë të plotë përshëndetjen e Maria Pacollit, e cila edhe pse ka munguar në ekspozitën e Strugës, ajo ka shprehur gatishmërinë që të jetë e pranishme po në këtë ekspozitë që do të hapet në Prishtinë dhe Zvicër.

“Të dashur miq dhe mikesha nga hapësira shqiptare, me keqardhjen më të madhe detyrohem t’ju përshendes me shkrim, dhe jo fizikisht,  duke qenë bashkë me ju.

Jam nënë e 4 fëmijëve dhe bashkëshortja e një ministri të jashtëm si Behgjet Pacolli, që udhëton shumë, ndaj shpesh jam dhe nënë dhe baba. Angazhimet familjare,  megjithatë nuk na kanë penguar të bëjmë shumë aktivitete për fëmijët tanë, në emër të Fondacionit Zviceran Ibrahim Kodra.

Flora Nikolla, Albanian Excellence, ka parë tek puna ime, tek puna dhe shembulli i shumë kolegeve tona anembanë viseve shqiptare diçka të vecantë. Ndaj dhe jemi pjesë e kësaj ekspozite. Flora ka bërë punë të jashtëzakonshme për të na bërë bashkë në emër të dy fjalëve: shqiptarë,  dhe të shquar. Kombi sot është familja, prona, ndjenjat, arti dhe aktiviteti jetësor që zhvillon cdo ditë. Kultura shqiptare është bërë pjesë e jetës sime të përditshme, e mendjes dhe zemrës sime. Ja pse unë ndihem shqiptare si shumë prej zonjave të nderuara, pjesë e kësaj ekspozite.

Të shquara? Ne kemi bërë punë të jashtëzakonshme, që ndoshta nuk i bën shumëkush. Jam perpjekur shumë për imazhin e Kosovës, për fëmijët tanë, të ardhmen e tyre, për të ardhmen e kombit. Le të punojmë që të shquarit të jenë të zakonshëm dhe te zakonshmit të shquar. Kështu do ta lartësojmë kombin tonë. Falemnderit Flora që na bëre bashkë dhe ne do të jemi bashkë gjithnjë. Do shihemi shumë shpejt në Prishtinë dhe në Zvicër. Ëith best regards, Maria Pacolli Art Director Ibrahim Kodra Swiss Foundation./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme