Marubi hap në Trienale ekspozitën “Rituali Fotografik” (FOTO)

20 Nëntor, 2018 - 11:00 am

Celet në Milano të Italisë, ekspozita “Rituali Fotografik” me fotografi e negativë të Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, kuruar nga Zef Paci.

E pranishme në ceremoni ishte Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro si edhe Presidenti i Trienales, arkitekti i mirënjohur Stefano Boer.

Kjo ekspozitë, iniciuar e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që shënon një ngjarje të rëndësishme në kuadrin e Vitit të Skënderbeut, përshkon 100 vjet nga historia e Shqipërisë, përmes portreteve që kalojnë para kameras së Marubit e më pas të fotografëve të tjerë të cilët fiksojnë momente kyç të jetës njerëzore shqiptare.

“Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip.

Në margjina të arteve të tjera, fotografia e Marubve, Idromenos, Kodhelit, Shan Picit, Nenshatit e me radhë, ishin pasqyra më fantastike, njëherësh moderne për kohën e vendin por edhe, po aq klasike, e atij kufiri të hollë Lindje-Perëndim.

Dallimi i madh i fotografëve shqiptarë prej atyre tipikë orientalistë të kohës ishte pikërisht hapësira e dallueshme që e vendoste estetikën teatrale të kompozimit në shërbim të një frymë kombëtare shqiptarizuese aq të domosdoshme për epokën.

Sepse ata ishin artistë të jashtëzkonshëm dhe atdhedashës shembullorë. La Triennale di Milano është një ndër skenat e duhura që ky ritual tashmë I shekullit të kaluar të jetë një pasaportë autentike shqiptare që flet për bashkëkohësi kulturore”, tha Kumbaro në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite duke e cilësuar këtë ekspozitë një pasaportë të shkëlqyer kulturore dhe duke ftuar publikun e shumtë në ceremoninë e hapjes, artistë, gazetarë, kritikë arti por edhe bashkëatdhetarë nga diaspora, që të vinin e të vizitonin Muzeun në Shkodër dhe Shqipërinë. Ekspozita do të qendroje e hapur deri në 9 dhjetor 2018./ KultPlus.com

Të ngjajshme