‘Mbështetu tek unë’, ekspozitë nga Fitore Berisha

26 Gusht, 2017 - 6:25 pm

Fitore Berisha, artistja e cila njihet për stilin e saj të veçantë, po vjen me një ekspozitë të radhës. Ekspozita titullohet “Lean On Me” (Mbështetu tek unë) dhe hapet sonte në Traffic Gallery, shkruan KultPlus.

“Në punimet e mija paraqiten përvojat dhe tranzicion të cilin po e përjetojmë çdo ditë si shoqëri. Në të paraqitet thyerja e shoqërisë, ngritja e saj dhe mbështetja në njëri tjetrin. Punimet e mia përmbajnë fytyra të ndërlidhura me njëra tjetrën, ku çdo fytyrë në vete përmban një trishtim, thyerje apo dëshpërim, por të ndërlidhura ato krijojnë një imazh të fuqishëm me elemente të krenarisë, dashurisë dhe bashkimit. E ky bashkim paraqitet përmes fytyrave të të gjitha gjinive, të cilat gjithmonë të bashkuara krijojnë atë fuqi, që unë e quaj dashuri, e kurrsesi të ndara e të thyera”, thotë Fitorja.

Fitore Berisha ka lindur në vitin 1971 në Prishtinë. Studioi në Akademinë e Arteve – dega pikturë. Në vitin 2003 e themeloi organizatën Mural Art Group (MAG) ku me ekipen e saj krijuan disa murale në qendër, poashtu projekte tjera të financuara. Qëllimi i organizatës ka qenë të punojë me artistë të cilët janë të inspiruar ta zbukurojnë qytetin e Prishtinës dhe të inspirojnë qytetet tjera.

Fitore Berisha në 2006 është shpërngulur në Islandë në kryeqytetin Reykjavik ku ajo jetoi 10 vite dhe krijimtaria e saj ka vazhduar në pikturë, teatër, vallëzim. Prej disa muajsh është kthyer në vendlindje dhe ka hapur një artstudio dhe vazhdon të merret me murale, graffiti, pikturë.
Ekspozita hapet sonte në ora 20:00 në Traffic Gallery në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme