Mbrëmë Festivali Multikulturor bashkoi ngjashmëritë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

16 Dhjetor, 2021 - 6:15 pm

Promovimi i identitetit, ngjashmërive e kulturës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian mbrëmë erdhi nëpërmjet Festivalit Multikulturor, festival ky i cili nën moton “T’i festojmë ngjashmëritë tona” shënoi pjesën e dytë të edicionit të dytë duke mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm artistësh e njëkohësisht edhe duke promovuar artin e tyre unik, shkruan KultPlus.

Diskriminimet e paragjykimet që konsiderohen të jenë pjesë e përditshmërisë së tyre, artistët si: Atlaf Avdi, Visar Kukaqi, Mirjeta Qehaja, Edita Krasniqi, Bajram Mehmeti, Farije Mehmeti dhe Kaltrina Hoda, kanë vendosur që t’iu përgjigjen nëpërmjet artit, kulturës dhe muzikës, që mbrëmë u gërshetua në një mënyre tejet të veçantë.

Këta të rinj të talentuar të komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian sollën një ndërlidhje diversive e krejtësisht të pakrahasueshme të pikturave, skulpturave, prezantimeve artistike si dhe melodive muzikore pikërisht në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ndërsa, frymëzimet e tyre duken se janë ringjallur në çdo cep ku arti kishte zënë vend në një mënyrë e thirrje për trajtim të barabartë.

Edicioni i dytë i Festivalit Multikulturor u zhvillua nën organizimin e OJQ ‘Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo’, të cilët mbrëmjen e djeshme e nisën me një fjalë rasti nga drejtori ekzekutiv i organizatës ‘VORAE’, Isak Skenderi.

“Faleminderit që keni gjetur kohë për të na u bashkangjitur sonte në pjesën e dytë të edicionit të dytë të Festivalit Multikulturor. Sot jemi mbledhur që të vazhdojmë ti festojmë ngjashmëritë tona. Kosova është një shtet multietnik dhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë pjesë e shoqërisë së Kosovës e janë një pasuri e jona që ka çka ti ofrojë kësaj shoqërie. Sot jemi mbledh që të tregojmë se këto komunitete janë po ashtu njerëz me nevoja të njëjta apo ngjashme me komunitetin shumicë, përveç disa aspekteve kulturore, nuk ka ndonjë dallim tjetër”, thotë Skenderi.

Sipas tij, këto komunitete po mundohen të luftojnë për këtë vend dhe për barazi e ne veçanti përmes artit, kulturës dhe muzikës.

“Është një fat që sonte ti prezantoj disa nga artistë të këtyre komuniteteve dhe jo vetëm. Nëse shohim përtej ngjyrës së lëkurës, nëse shohim përtej ngjyrës së syve, nuk do të shohim shumë dallime mes këtyre tre komuniteteve. Andaj, shpresoj se sonte përmes këtyre veprave të artit dhe muzikës, ti shihni të njëjtat”, përfundon Skenderi.

Ndërkohë, laramania e ngjyrave dhe simbolikat e shpërndara nëpër piktura ishin ato që po frymonin kur radha e pianistit Atlaf Avdi për të performuar, erdhi. Me një qëndrim preciz në ulëse e gishtërinj që po pushtonin çelësat e pianos, artisti Avdi solli gjithsej tre vepra të njohura të cilat jehonën e tyre e lanë jo vetëm në muret e bibliotekës por edhe përtej tyre.

Ndërsa, mesazhet e fuqishme të cilat vinin përmes secilës fjalë, erdhën nëpërmjet performancës së poetit Visar Kukaqi, i cili interpretoi poezi, tre nga të cilat kishin synim arritjen e një qëllimi i cili pritet të bëhet realitet.

Me tituj si: ‘Më trajto’, ‘Frika’ dhe ‘Antarktikë’, interpretimi i artistit Kukaqi solli emocione të cilat i mbajtën të pranishmit të fokusuar në çdo sekondë për të dëgjuar kështu tema shoqërore si: paragjykimet, frikës në pandemi dhe shëndetit mendor.

Mirëpo, përbrenda këtij festivali tradicional nuk ishin vetëm ngjyrat e pikturave apo forma e skulpturave, ato që kishin laramani. Por, edhe prezenca e secilit aktivitet u bë bashkim i shumë të rinjve të talentuar në fusha të ndryshme duke bërë që ky festival të jetë një vendtakim i jo vetëm shumë shkrimtarëve të pasionuar, piktorëve e skulptorëve, por edhe sportistëve, artistëve dhe rrëfyesve të historive të tyre personale.

Krejt në fund, festivali u përmbyll me një koktej e bashkëbisedime mes artistësh, veprat e së cilëve janë në shitje e që ndihmojnë edhe në përkrahjen e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme