Mbyllet Galeria Kombëtare, konfirmohet një rast pozitiv me Covid-19

9 Qershor, 2020 - 7:17 pm

Stafi i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga e marta është në vetizolim. Një punonjëse e këtij institucioni ka rezultuar pozitive në testin për COVID- 19. Për pasojë, në Galeri është ndërprerë puna për hapjen e ekspozitës “Bienalja ndërkombëtare e vizatimit”. E njëjta është shtyrë për 18 qershor.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani nëpërmjet telefonit ka konfirmuar mbylljen e institucionit. Drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Jehona Shyti, ka thënë se menjëherë pas konfirmimit të rastit kanë rekomanduar vetizolim të punonjësve të Galerisë, shkruan Koha.net

“Fatkeqësisht është konfirmuar një rast pozitiv dhe kemi rekomanduar vetizolim për rastet e kontaktit”, ka thënë Shyti.

Sipas saj, të njëjtën gjë e kanë rekomanduar për punonjësit e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” pasi dyshohet se një punonjës i këtij institucioni mund ta bartë virusin. Bëhet fjalë për një familjar të ngushtë të punonjëses së Galerisë që ka rezultuar pozitive.

Stafi artistik I ansamblit “Shota” është në pushim. Por në rast se punonjësi i Ansamblit që ka shfaqur shenja klinike të virusit rezulton pozitiv, do të vetizolohet i gjithë stafi esencial.

Paraprakisht menaxhmeti i “Shotës” ka kërkuar që të testohen të gjithë punonjësit, por një gjë e tillë nuk është bërë.

Pos këtyre dy institucioneve, puna është duke vazhduar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Baletin Kombëtar të Kosovës, në Filarmoni e në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com

Të ngjajshme