Me dyer dhe porta që simbolizojnë ikjen, hapet ekspozita personale e piktorit Esat Valla

19 Maj, 2023 - 5:00 pm

Flonja Haxhaj

Dyer e Porta që simbolizojnë dukuri, ngjarje historike, identitete kulturore e zakone, e sidomos ikjen dhe largimin nga vendi, erdhën nëpërmjet penelit të piktorit dhe profesorit universitar, Esat Valla, shkruan KultPlus.

Në mjediset e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Valla hapi të mërkurën ekspozitën e tij personale, për të ekspozuar një sërë pikturash të realizuara nga vetë ai ndër vite, e që kanë pothuajse të gjitha një të përbashkët, dyert.

E ndonëse arti i Vallës u vlerësua që moti, këtë e dëshmuan edhe veprat e paraqitura në këtë ekspozitë dhe po ashtu edhe publiku i të gjitha moshave që kishin mbushur plot hapësirën e kësaj akademie.

Në hapjen e ekspozitës, para publikut artdashës, fjalëpak, piktori Valla u shpreh tejet i lumtur për prezencën e të gjithëve në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për të.

“Kjo është një punë e imja, e dekadave të fundit. Këto vepra janë të lindura pikërisht në studion time por ato fillojnë të jetojnë pikërisht sot me prezencën tuaj në këtë ekspozitë”, u shpreh Valla.

Ndërkaq piktori dhe skultptori Luan Mulliqi, vlerëson lart punën e Esat Vallës, e këtë ngjarje e konsideron si një aktivitet tejet të rëndësishëm.

“Sot po e shënojmë një ngjarje të rëndësishme, individuale, familjare e shtetërore”, tha mes tjerash Mulliqi.

Esat Valla u lind më 22 prill 1944 në Gjakovë, ku edhe ndoqi shkollën fillore. Në vitin 1965 mbaroi shkollën e mesme artistike në Pejë. Në vitin 1971 u diplomua në Akademinë e Arteve në Beograd (tani Universiteti i Arteve në Beograd ), ku studioi për pikturë te profesori Zoran Petroviq. Nga viti ai ishte 1974 ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës. Ai po ashtu ishte pjesë e Fakultetit të Arteve që nga viti 1976, ku ligjëronte për  pikturë për studentë dhe maturantë, me titullin Profesor Ordinar në Universitetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Të ngjajshme