займ на карту онлайн потребительский кредит

Me ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” apelohet për raportimin e dhunës në familje

Qershor 14, 2019 - 1:30 pm

Rrjeti i grave të Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim, Bashkimin Evropian përmes Un Women, TOML, Komunën e Prishtinës e vullnetarë të ndryshëm, hapën ekspozitën dy ditore me titull “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” në sheshin “Skënderbeu”.

Kjo ekspozitë e veçantë përmes materialeve multimediale dhe interaktive shpalos rrëfimet e grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje. Ndërtimi i saj është mjaft interesant, në formën e një labirinti, brenda së cilës janë vendosur mesazhet e viktimave të dhunës, derisa ambienti i kësaj ekspozite ngjanë me një shtëpi të zakonshme, vend ku zakonisht ushtrohet dhuna.

Në fjalën hyrëse Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave, u shpreh e kënaqur me mbarëvajtjen e punës dhe jetësimin e këtij projekti derisa falënderoi për bashkëpunim Agjencinë Austriake, Bashkimin Evropian – Un Women dhe Komunën e Prishtinës dhe të gjithë vullnetarët. Ajo inkurajoi qytetarët që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë ekspozitë, e gjithashtu të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me instituiconet relevante (Policinë e Kosovës) për adresimin e dhunës në familje e shoqëri.

“Kjo ekspozitë është projekt serioz, për të cilin kemi punuar me shumë përkushtim. Ne do të shkojmë edhe në komunat tjera ku ka strehimore, sepse institucioni ynë Rrjeti i grave bashkëpunon edhe me strehimoret. Sa herë që janë shkelur të drejtat e njeriut në Kosovë, institucioni ynë e ka ngritur zërin”, tha Rogova ndërsa avokati i popullit Hilmi Jashari u shpreh se është jashtëzakonisht i privilegjuar për pjesëmarrjen në këtë ngjarje.

“Të drejtat e njeriut nuk janë pronë e avokatit të popullit, as e Qeverisë, as pronë e organizatave joqeveritare, por janë pronë e secilit individ dhe është detyrë e secilit prej neve që nga puna, këndvështrimi, perspektiva që kemi të ndihmojmë që të kemi avancim në këtë aspekt”, tha Jashari.

Gjatë ekspozitës, u bë thirrje që dhuna në familje apo shoqëri të raportohet në institucionet gjegjëse dhe të mos mbetet brenda mureve.

“Lufta kundër dhunës në familje është ndër prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian, prandaj jam e privilegjuar të jem këtu në mesin e këtyre institucioneve që ishin ndër të parat që ngritën zërin dhe ishin pjesë e raportit të progresit të vendit për Bashkimin Evropian, institucioni i avokatit të popullit dhe zyra e koordinatorit nacional kundër dhunës në familje”, tha në prezantimin e saj, përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian për zhvillim – Un Women Reyes Charlie Cuellar.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur sot (e premte) deri në orën 20:00 dhe nesër (e shtunë) nga ora 8:00 deri në orën 20:00, derisa pritet të vizitohet nga shumë qytetarë, prej të cilëve organizatorët presin vetëdijesimin dhe adresimin e dhunës së çfarëdo forme, në institucionet gjegjëse./KultPlus.com

Të ngjajshme