29 Maj, 2025 - 12:12 pm
Sonte (29 maj) në Qendrën e Kulturës “Ilo Anteski-Smok” në Tetovë, me fillim nga ora 19:00, do të hapet ekspozita me titull “Flow in the flower”, e artistes nga Tetova Esra Luta.
Esra Luta rikthehet me një cikël të ri punimesh në pikturë dhe grafikë, ku motivi i lules merr një dimension të veçantë si simbol i ndjeshmërisë, qetësisë dhe lidhjes me jetën.
“Flow in the flower” është një udhëtim vizual i ndërtuar me ngjyra, forma dhe frymë të brendshme. Na fton të ndalemi për një çast, të shkëputemi nga ritmi i përditshëm dhe ta përjetojmë artin në mënyrë të qetë, personale dhe të thellë.
Artistja Esra Luta tha se në këtë ekspozitë ajo paraqet mbi 30 punime, një udhëtim brenda luleve të punuara në teknika të ndryshme.
“Në këtë ekspozitë unë do të paraqes mbi 30 punime, gjysëm grafik gjysëm pikturë. Shikuesin e pret një udhëtim brenda luleve të punuara në teknika të ndryshme, në dy drejtime, në grafikë dhe pikturë. Kur flitet për artin do të thotë se kemi të bëjmë me formën dhe ngjyrën, kurse arti im është një tentativë që orvatet përmes motivit të lules të pasqyroj vizualisht atë që e ka me vete. Veprat janë të punuara në drejtimin e grafikës, teknikë e kombinuar ku mund ta shohim qartë harmonin e tonalitetit prej të bardhës në të zezë . Dhe në drejtimin e pikturës vaj/akril në pëlhurë, tekinkë e kombinuar”, tha Luta.
Ekspozita realizohet në kuadër të programit vjetor të Qendrës së Kulturës-Tetovë, mbështetur nga Ministria e kulturës dhe turizmit./Portalb/ KultPlus.com