Mina Krasniqi sfidon realitetin e nuseve symbyllura në ekspozitën personale (FOTO)

27 Dhjetor, 2017 - 8:56 pm

Gili Hoxhaj

Mina Krasniqi sonte shtriu realitetin dhe ëndrrën e nuseve shqiptare në rreth njëzetë punime, të cilat i prezantoi në Hanin e 2 Robertëve, ku edhe bëri hapjen e ekspozitës së saj personale.

Piktorja Mina Krasniqi, tash e sa kohë stilin e saj e kultivon me besnikëri të plotë ndaj “nuseve”, të cilat i sjellë përmes ngjyrave të ndryshme, por në një pozicion pothuajse të njëjtë. Vizitorët ndeshen me bukurinë, sensualitetin e çdo gjë tjetër pos syve të tyre. Mina përmes kësaj përkufizon realitetin dydimensional të nuseve shqiptare. Duke fshehur sytë e saj, ajo hap kapitullin e jetës së tyre i cili orvatet mes dëshirës së brendshme, dhe kufizimeve të jashtme, shkruan KultPlus.

Nuset e Minës, duket sikur qëndrojnë të varura në pikëllimin e tyre, dhe gjejnë prehje vetëm brenda ëndrrës për liri. Pikturat e Minës kanë vetëm një shenjë të mentalitetit në sytë e tyre të mbyllur, por veshja dhe pozicioni në të cilin ajo i sjellë, e shfaqin anën e modernizuar të dukjes së tyre. Por për piktoren ndryshimi nuk vjen vetëm në pamje, e nga jashtë nëse gjurmët e tij nuk kanë prekur vërtetë thelbin e jetës së tyre për ta udhëhequr kohën përmes syve të tyre.

Skënder Boshtrakaj, i cili së bashku me piktoren uruan mirëseardhje të pranishmeve, po ashtu tha se ndihet i lumtur ta bëj hapjen e ekspozitës të një piktoreje siç është Mina. Ai tha se Mina fsheh një mesazh në secilën pikturë, ndërsa e falënderoi piktoren që për shumë vite insiston në këtë temë.

“Nëse thonë se syri është dritare e mbyllur, pasi që i kam parë pikturat e Minës me symbyllur, unë tash jam i sigurt se syri i mbyllur është shpirti vet. Femra që jetojnë dy botëra, jetojnë jetën e dhënë nga jashtë dhe ëndrrën e tyre imagjinare. Këtu mund ta shohim Minën të identifikuar me secilën femër që ndoshta kur i hap sytë, e lakmon një botë që i është ndaluar dhe kur i mbyllë sytë kthehet në ëndrrën e vet”, ishin fjalët e Boshtrakajt që përkufizonin punën e piktores në këtë ekspozitë.

Boshtrakaj gjatë ceremonisë hapëse u shpreh tejet i lumtur që kjo ekspozitë po prezantohet në një institucion që ka promovuar artistët edhe në kohërat më të rrezikshme. “Janë disa dekada që ky institucion mbijeton dhe përmban kujtesën e kafe galerive, që gjatë viteve të 90’ta kanë qenë një ushqim shpirtëror për artistët dhe qytetarët”, tha Boshtrakaj sonte.

Vizitorët e kësaj ekspozite ndeshen me njëzetë piktura të shpërndara në tërë ambientin e kafegalerisë, por para se të vijnë në sytë e vizitorëve, dedikimi dhe vëmendja e piktores ishte e ndarë në disa piktura njëkohësisht. Kur Mina futet në botën e pikturimit, brushat e saj zhyten ndonjëherë në ndërtimin e katër pikturave njëkohësisht. Ajo tregon për KultPlus se asnjëherë nuk i ka ndodhur të ulet dhe të punojë vetëm në një pikturë.

Mina Krasniqi tha se me këtë ekspozitë ka dashur që në këtë fundvit ta nxjerrë në pah punën e saj gjatë këtij viti. Ajo tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë erdhi me emrin “Nuset”, për ta shpërfaqur mentalitetin e shoqërisë, i cili prek në një kohë kur martesat për nuset vinin në formë imponimi.

“Arsyen përse sytë e tyre janë të mbyllur e lidhi me ëndrrën e tyre për martesën, gjithmonë duke e shprehur mentalitetin se si nusja gjatë ceremonisë së dasmës është dashur t’i mbajë sytë poshtë. Zakonisht ngjyrat i sjellë ma të lehta, në mënyrë që të përshtaten me shpirtin femëror dhe përmes mjegullinës kam përshtatur ëndrrën e saj, kurse përmes luleve vjen një simbol femëror. Shumica prej tyre e kanë ngjyrën e flokëve më të hapur, për shkak se përmes këtij detaji dua ta paraqes atë se si femrat para martesës i japin rendësi lyerjes së flokëve”, tregoi Mina për konceptin dhe detajet e pikturave të saj sonte.

Stili i Minës orvatet në të kaluarën dhe prek edhe sot mentalitetin kosovar karshi nuseve. Detajet e shumta që fshihen në punimet e saj bëjnë që mesazhi i pikturave të saj të vijë sa më natyrshëm tek publiku dhe të jetë sa më origjinal.

Pikturat për Minën, nuk janë vetëm një shprehje artistike në të cilën ajo e ka gjetur veten. Punimet e saj duan të pasqyrojnë realitetin e trishtë dhe të lobojnë në përmbysjen e tij. Madje për ta arritur këtë ajo në mesin e pikturave shpalosë edhe një autoportret me veshje tradicionale.
“Përmes punës time kam dashur ta përcjellë mesazhin që femra nuk është një skllave pasi që ka raste se kur ato martohen, shihen si skllave që duhet vetëm të shërbejnë. Unë dua të tregoj se femra është sensuale, edhe punëtore”, shtoi piktorja Krasniqi.

Mina Krasniqi këtë ekspozitë e ndau me artdashës, piktorë e profesorë të cilët për shumë kohë e kishin përcjellë punën e veçantë të saj. Piktorja Bardha Buza tha për KultPlus se Mina duke trajtuar ëndrrat e femrës, sjellë një stil jashtëzakonisht të veçantë. Ajo u shpreh se edhe pse ka shumë artistë sot, janë të paktë artistët si Mina që merren me një figuracion dhe përmbajnë po ashtu një mesazh.
Për të gjithë ata që duan të shijojnë punën artistike të kësaj piktoreje, ekspozita do të qëndrojë e hapur për tri javë tek Hani i 2 Robertëve, afër Fakultetit të Arteve. / KultPlus.com

Të ngjajshme